TIRANË- Një vit më parë, ZËRI ishte media e parë në Shqipëri që denoncoi në dokumentarin “Qumështi i Ndaluar”, fenomenin e përhapur masivisht në Shqipëri të promovimit të qumështit formulë nga influencerat dhe personazhet publikë në shkelje të plotë me ligjin. Por pavarësisht denoncimit tonë, asnjëra nga personazhet publike nuk kërkoi ndjesë për publikun por përkundrazi nisën të raportonin faqen tonë përmes mënyrave aspak demokratike. Por ajo që dikur ishte vetëm qumështi formulë përballë qumështit të gjirit, duket se ka shkuar shumë më tej, në reklamimin edhe të dietave për fëmijë. Një rast i tillë përfshin në debat aktoren Eliona Pitarka, nënë e 3 fëmijëve dhe mjekun që ndjek vajzat e saj, pediatrin Edi Tushe. Në një postim të mëhershëm, Eliona ndau një dietë për fëmijët që ia kishte ofruar sipas saj pediatri Tushe.
Debati publik mes tyre ka marrë vëmendjen e mediave, pasi gjatë orëve të fundit, Pitarka dhe mjeku Tushe, kanë replikuar në distancë. Shkak u bë një dekaratë publike e mjekut, sipas të cilit, nuk e kishte autorizuar aktoren që të përdorë emrin e tij për të promovuar dieta fëmijësh.
Nuk ka vonuar shumë reagimi i Elionës, e cila është shprehur e tronditur dhe e lënduar për mënyrë se si kjo situatë ka marrë një rrjedhë krejt tjetër për nga mënyra se si po trajtohet. Për më tepër që sipas saj, bëhet fjalë për klinkës ku prej vitesh ndiqen fëmijët e saj.
Përmes një postimi të gjatë sqarues me disa InstaStory, aktorja kërkon të sqarojë që në fillim të reagimit se, postimet e saj të mëparshme kanë qenë një informacion i përgjithshëm me qëllimin e vetëm, të mirë, për të ndihmuar prindërit e tjerë. Sipas saj, nuk kanë qenë dieta apo regjime ushqimore për fëmijët dhe kurrsesi që emri i mjekut të ishte i lidhur me produktetet e përmendura.
Eliona thekson marrëdhëniet e mira profesionale me mjekun Tushe, teksa zbulon një komunikim me të për këtë shqetësim, dhe si përgjigje, ka marrë falenderimin e tij për ndihmën që aktorja po i jep prindërve të tjerë.
"Eliona, mos u shqetëso. Nëse po jep informacionin që unë t'i kam dhënë dhe po ndihmon nënat e tjera, je në rregull. Vazhdo", citohet të ketë shkruar mjeku në një përgjigje për aktoren.
Cili ishte reagimi publik i mjekut pediatër, Edi Tushe, që ka pasuar me një seri postimesh nga ana e aktores, Eliona Pitarka?
PARALAJMËRIM PUBLIK
Po sqaroj publikisht se emri im po përdoret pa autorizimin tim në përmbajtje që lidhen me dieta për fëmijë, me qëllime që nuk kanë asnjë lidhje me qëndrimin tim profesional dhe që nuk i kam miratuar apo mbështetur.
Nuk kam autorizuar @elionapitarka apo asnjë person tjetër të përdorë emrin tim për të promovuar dieta për fëmijë, këshilla ushqimore apo përfitime personale të çfarëdo forme.
Si mjek, deklaroj qartë:
• Nuk rekomandoj dieta për fëmijë pa vizitë mjekësore,
• pa vlerësim të plotë shëndetësor,
• dhe pa analizuar fëmijën në tërësinë e tij fizike dhe metabolike.
Çdo përdorim i emrit tim jashtë këtij kuadri është i pavërtetë dhe i paautorizuar.
Gjithashtu, kam qenë dhe do të jem kundër ushqimeve artificiale, formulave të përpunuara industrialisht dhe produkteve që shiten në kuti apo kavanoza nga kompani farmaceutike apo të ngjashme, veçanërisht kur bëhet fjalë për ushqimin e fëmijëve.
Çdo përdorim i mëtejshëm i emrit tim pa leje do të trajtohet si shkelje, do të dokumentohet dhe do të pasohet nga hapa ligjorë, nëse është e nevojshme.
Respektoni profesionin, etikën dhe përgjegjësinë mjekësore.
Pediatri Tushe, përvese ka shpërndarë një reagim sqarues për autorizimin e dietave ushqimore për fëmijët, postimin e ka trajtuar edhe si një parlajmërim për rrezik që lidhet pikërisht për këtë çështje. Në përfundim të reagimit mjeku ka paralajmëruar se do të ndjekë hapa ligjorë nëse kjo gjë do të vazhdojë të ndodhë.
Vlen të theksohet se përplasja Pitarka-Tushe lidhet më shumë për mënyrën se si është trajtuar kjo çështje mes palëve, pra në përdorimin e emrave konkretë (mjek, klinikë), se sa në përmbajtjen e asaj që u bë shkak që në fillim: 'dieta për fëmijë'.
Kjo çështje sigurisht që nuk prek vetëm palët e përfshirë në këtë debat, tema është më e gjerë. Preken prindër dhe fëmijë të tjerë, pasi është një çështje që ngre shqetësim për rëndësinë e kujdesit për fëmijët dhe dhënia e këshillave nga personazhet e njohur (influencer) në rrjetet sociale.
Siç theksuam që në hyrje, ZËRI ka denoncuar më herët këtë fenomen, ndërsa në këtë link mund të ndiqni dokumentarin “Qumështi i Ndaluar”./ZËRI