Aktualitet

'S'dua avokat"! Arrestimi i Florind Ramës në Kolumbi, nga vrasja e “spiunit” serb në Marbella te korrier i Sinaloa

Rasti për të cilin kërkohej daton më 30 qershor 2022, në lagjen Golden Beach në Marbela, ku u gjet trupi i Aleksandër K., një shtetas serb me shenja torture dhe plagë nga arma e zjarrit.

F.I
'S'dua avokat"! Arrestimi i Florind Ramës në Kolumbi,
Momenti i arrestimit të Florind Ramës

SPANJË-Janë publikuar pamjet e arrestimit të Florind Ramës, i njohur edhe si Florin Terziu në Pereira të Kolumbisë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet evropiane. Arrestimi ishte rezultat i një ndjekjeje që zgjati rreth 30 ditë. Në pamjet e publikuara, agjentët e Interpolit i afrohen dhe i komunikojnë se ndodhet nën arrest në kuadër të një urdhër-arresti ndërkombëtar me “kod të kuq”. Ata i lexojnë akuzat dhe të drejtat ligjore.

Gjatë momentit të ndalimit, ai dëgjohet duke deklaruar se nuk ka nevojë për avokat, por kërkon të kontaktojë një familjar. Pak çaste më vonë, ai përpiqet të prezantohet si shtetas gjerman, por identiteti i tij real ishte tashmë i konfirmuar nga autoritetet hetimore. 

Rama akuzohet për rrëmbim, torturë dhe vrasje. Sakaq, hetimet e vendosin atë si pjesë të një rrjeti me origjinë shqiptare me shtrirje në Evropë. Gazeta El Tempo, raporton se autoritetet e lidhin atë me struktura kriminale që operojnë në Costa del Sol, një zonë e njohur për praninë e organizatave evropiane të trafikut të drogës. Rasti për të cilin kërkohej daton më 30 qershor 2022, në lagjen Golden Beach në Marbela, ku u gjet trupi i Aleksandër K., një shtetas serb me shenja torture dhe plagë nga arma e zjarrit. Hetimi i gjykatës çoi në urdhër-arreste të lëshuara në korrik 2022 dhe nëntor 2023.

Florind Rama lidhet me organizata kriminale me origjinë ballkanike, përfshirë klane që veprojnë në Mal të Zi, Serbi dhe Kroaci, si dhe kontakte në Gjermani. Autoritetet po hetojnë edhe lidhje të mundshme me rrjete të trafikut të drogës në Amerikë.

Gjatë hetimeve u konstatua se autorët e vrasjes lëviznin me automjete specifike, përfshirë një Porsche Cayenne dhe një Volkswagen, si dhe u gjetën përputhje balistike që lidhin armën e përdorur me krime të tjera në territorin gjerman. Prania e tij në Pereira, ku përpiqej të fshihej, hapi linja të reja hetimi. 

Florind Rama pritet të përballet me procesin e ekstradimit drejt Evropës, ku kërkohet për vepra si vrasje, ndalim i paligjshëm, armëmbajtje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Ndërkohë, autoritetet po vazhdojnë hetimet për aktivitetin e tij në Kolumbi dhe lidhjet e mundshme me rrjete të mëdha narko-trafiku, përfshirë “La Cordillera”, kartelin e Sinaloas dhe Jalisco./ZËRI

Poll

MOS HUMB