
TIRANË- Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar më shumë detaje lidhur me dosjen e ish-deputetit socialist, Jurgis Çyrbja në SPAK. Si një person që ka parë dosjen për të cilën ish-deputeti është vendosur në pranga, gazetarja ka treguar detaje. Në emisionin "Të Paekspozuarit", Lala tregoi disa komunikime mes pjesëtarëve të organizatave kriminale që sipas saj kanë ndikuar në listën e kandidatëve për deputetë në qarkun e Durrësit.
Sipas saj, Edmond Çekiçi, tashmë i ekzekutuar, ka ndërhyrë tek zyrtarë të lartë për futjen e Çyrbjas në listën e Durrësit.
"Kam arritur të shohë disa nga mesazhet që përbëjnë interse publik. Kam kuptuar që Edmond Çekiçi, i ekzekutuar, ka ndikuar te zyrtarë të lartë socialistë për zhvendosjen e emrit të Çyrbes nga i shtati te i pesti në listën e PS në Durrës. Kam parë mesazhe ku Çekiçi i shkruan Çyrbes, thotë "e përfundova punën tënde, mos fol me njeri, e kemi mbyllur dhe do të shkosh aty ku duhet në listë". Çyrbja, më rezulton se i është thënë "faleminderit vëlla, isha keq, më ngrite moralin".
Më pas Altin Hajri, i referohet mes të tjerash në komunikim, përmend një emër që duhet të punojmë me kujdes, "se mos mendon Gjushi se po përçahemi". Kush thirret Gjush në Durrës? Ne e dimë shumë mirë. Vangjush Dako në dosjen 339 grupi Avdylaj ndikonte për kandidatët në zgjedhje. Dyshimet më çojnë të mendoj se Çyrbja është vendosur i pesti, por duhet të zbulohen kush janë zyrtarët socialistë që u ndikuan të fusin Çyrben në listë. Aty thuhet ti i pesti, Liri i shtati… Bëhet fjalë për Ilir Ndraxhit, që edhe ai rezulton i shtati në listë. Mund të ketë edhe të tjera, kaq kam arritur unë.
Prokuroria duhet të sqarojë rolin e Vangjush Dakos, ai propozonte emrat e kandidatëve për deputetë. Të shohim si e ka futur Çyrben. Gjithë krimi i organizuaar ishte vënë në lëvizje të ndikonte. Kush e dërgoi Çyrben deri aty? Ka negociuar krimi i organizuar. Kush e firmosi? Këtë të na e tregojë SPAK,"- tha Lala.
Me urdhër të SPAK është arrestuar mbrëmjen e 20 tetorit, ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja, i cili dorëzoi mandatin disa ditë para se t'i vendoseshin prangat. Së bashku me të u arrestua edhe kunati i tij, Ahmet Masha. Çyrbja akuzohet për disa vepra penale: “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal; “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1/2 të Kodit Penal si dhe “Tregëtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”. Ish-deputeti ka strehuar Altin Hajrin dhe e ka ndihmuar me informacione për goditjet e Policisë./ZËRI