DURRËS– Prokuroria e Durrësit ka goditur një skemë të dyshuar falsifikimi dhe tjetërsimi pronash në bashkëpunim me punonjës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Në kuadër të hetimeve janë vendosur masa sigurie për 12 persona, ndërsa janë sekuestruar rreth 53 mijë metra katrorë tokë në zonën e Kallmit dhe ish-NB Frutore.
Sipas Prokurorisë, personat nën hetim dyshohen për veprat penale falsifikimi i dokumenteve, mashtrimi, shpërdorimi i detyrës dhe pastrimi i produkteve të veprës penale. Gjykata ka vendosur “Arrest me burg” për shtetasit me iniciale R.Sh., A.K., B.Z. dhe R.Z., ndërsa për shtetasit Sh.Sh., V.M., A.M. dhe B.Xh. është caktuar masa “Arrest në shtëpi”. Për shtetasit F.Xh., J.M., L.D. dhe A.C. është vendosur masa e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Hetimet kanë nisur që në vitin 2022, pas konstatimit të parregullsive gjatë inventarizimit të regjistrave hipotekorë në ASHK Durrës. Sipas organit të akuzës, është zbardhur një mekanizëm për falsifikimin dhe përvetësimin e pasurive në të paktën 6 raste në zonën kadastrale 1574, në zonën e Kallmit dhe ish-NB Frutore në Durrës, një zonë me interes të lartë për shkak të pozicionit bregdetar.
Prokuroria dyshon se një pjesë e pronave është shitur më pas te persona të tretë, me qëllim humbjen e gjurmëve të përfitimit të paligjshëm. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
NJOFTIMI I PROKURORISË:
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, u caktuan masa sigurimi ‘Arrest në burg’, ‘Arrest në shtëpi’ dhe ‘Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore’ për 12 shtetas nën hetim për veprën penale të ‘Mashtrimit’, ‘Shpërdorimit të detyrës’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ parashikuar nga nenet 143, 186, 248 dhe 287 të Kodit Penal.
Hetmet mbi procedimin penal nr.582 të vitit 2022, nisën kryesisht, pasi në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) Durrës, janë konstatuar problematika nga inventarizimi i regjistrave hipotekore duke krijuar dyshime për falsifikimin e tyre.
Nga ana e organit procedues u arrit të provohet mekanizmi i falsifikimit dhe përvetësimit të pasurive me qëllim përfitimin material në 6 raste në zonën kadastrale 1574, ndodhur në Kallm dhe NB Frutore Durrës (zona bregdetare).
Personat nën hetim, shtetasit R.Sh, Sh..Sh, A.M, V.M, B.XH dhe F.Xh nëpërmjet bashkëpunimit me punonjës të ASHK-së Durrës, falsifikuan dokumentacionin për regjistrimin e pasurive në kundërshtim me dispozitat ligjore me qëllim përfitimi material. Dokumentat e falsifikuara futeshin në arkiven e ish-ASHK-së Durrës duke marrë numra reference në disa raste të dubluara, dhe më pas janë hedhur në regjistrin e pasurive të paluajtshme, duke i vendosur data fiktive regjistrimi.
Gjithashtu, rezulton se jane hequr fletët origjinale të regjistrit nga ku pasuria me zë kadastral “shtet” u zëvëndësua me fletë të fallsifikuara në emër të personave në hetim, të cilët më pas në disa raste për të humbur gjurmët i kanë shitur këto pasuri te persona të tretë.
Po ashtu rezulton se nga ana e punonjësve të ASHK-së Durrës, shtetasve A.K, B.Z, R.Z, J.G,L.D dhe A.C u janë regjistruar pasuritë me dokumentacionin e falsifikuar, në kundërshtim me dispozitat ligjore si dhe duke mos kryer verifikimet përkatëse të përcaktuara në këto dispozita.
Sa më sipër, me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, u vendos:
1. Caktimi i masës së sigurimit personal shtrëngues “Arrest me burg” për shtetasin R.SH, i dyshuar për veprat penale të ‘Mashtrimit’, ‘Falsifikimit të dokumentave’ dhe të ‘Pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale’;
2. Caktimi i masës së sigurimit personal shtrëngues “Arrest me burg” për shtetasin A.K, i dyshuar për veprat penale ‘Falsifikimi i dokumentave’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’;
3. Caktimi i masës së sigurimit personal shtrëngues “Arrest me burg” për shtetasin B.Z., i dyshuar për veprat penale ‘Falsifikimi i dokumentave’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’;
4. Caktimi i masës së sigurimit personal shtrengues “Arrest me burg” për shtetasin R.Z, i dyshuar për veprat penale ‘Falsifikimi i dokumentave’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’;
5. Caktimi i masës së sigurimit personal shtrëngues “Arrest në shtëpi” për shtetasin Sh.Sh. i dyshuar për veprat penale ‘Mashtrimi’ dhe ‘Falsifikimit të dokumentave’;
6. Caktimi i masës së sigurimit personal shtrengues ‘Arrest në shtëpi” për shtetasin V.M. i dyshuar për veprat penale të ‘Mashtrimit’ dhe ‘Falsifikimit të dokumentave’;
7. Caktimi i masës së sigurimit personal shtrëngues “Arrest në shtëpi” për shtetasin A.M. i dyshuar për veprat penale ‘Mashtrimit’ dhe ‘Falsifikimit të dokumentave’;
8. Caktimi i masës së sigurimit personal shtrëngues “Arrest në shtëpi” për shtetasin B.XH i dyshuar për veprat penale ‘Mashtrimi’ dhe ‘Falsifikimi i dokumentave’;
9. Caktimi i masës së sigurimit personal shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për shtetasin F.XH., i biri, i dyshuar për veprat penale të ‘Mashtrimit’, ‘Falsifikimit të dokumentave’ dhe ‘Pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarise kriminale’;
10. Caktimi i masës së sigurimit personal shtrëngues të “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për shtetasin J.M, e dyshuar për veprat penale të ‘Shpërdorimit te detyrës’;
11. Caktimi i masës së sigurimit personal shtrengues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për shtetasin L.D, i dyshuar për veprat penale ‘Shpërdorimi i detyrës’; dhe
12. Caktimi i masës së sigurimit personal shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për shtetasin A.C, i dyshuar për veprën penale te ‘Shperdorimit te detyres’.
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, u vendos gjithashtu sekuestro preventive ndaj pasurive të mëposhtme:
-Pasuria Nr. 276/1 Durrës me sip.27.550 m2;
-Pasuria Nr. 147/8 Durrës me sip.14228 m2;
-Pasuri Nr. 39/7 Durrës me sip.6000 m2;
-Pasuria Nr. 462/12 Durrës me sip.3800 m2;
-Pasuria Nr. 143/21 Durrës me sip.5500 m2;
-Pasuria Nr. 143/22 Durrës me sip.5500 m2;
-Pasuria Nr 276/91 Durrës me sip.500 m2;
-Pasuria Nr 276/84 Durrës me sip.7000 m2;
-Pasuria Nr 276/89 Durrës me sip.500 m2;
-Pasuria Nr 276/90 Durrës me sip.500 m2;
-Pasuria Nr 276/88 Durrës me sip.500 m2;
-Pasuria Nr 276/87 Durrës me sip.3000 m2; dhe
-Pasuria Nr 276/85 Durrës me sip.6000 m2.
Në lidhje me këtë procedim penal hetimet janë në vijim për zbulimin bashkëpunëtorëve të tjerë si dhe te rasteve të tjera objekt hetimi.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajesia me vendim gjyqësor të formës së prerë.