
HIMARË-Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilluan një inspektim në terren në Himarë për të parë nga afër përgatitjet për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë muajve të verës. I pranishëm ishte edhe kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo.
Hita, njoftoi se këtë sezon është vënë në zbatim një procedurë e re për kontrollin kufitar detar, ku verifikimet për jahtet dhe mjetet lundruese do të kryhen direkt në det, me synim lehtësimin e procedurave dhe përmirësimin e shërbimit.
Skënder Hita: Jemi në Himarë, një ndër destinacionet turistike më të veçanta të Shqipërisë. Edhe këtu Policia e Shtetit ka marrë masa për garantimin e rendit dhe sigurisë, por edhe për sigurinë detare dhe sigurinë rrugore, si elemente kryesore të sigurisë. Dua të bëj me dije një risi që ne tashmë e kemi filluar gjatë këtij viti, ku kontrolli kufitar detar do të bëhet në det. Pra, nuk ka më nevojë që jahtet apo anijet lundruese që do të jenë në det të vijnë te pika e kalimit kufitar, por ne do të shkojmë tek ata dhe do të bëhet kontrolli direkt në sistemin TIMS, ku do të hidhen të dhënat e të gjithë pushuesve që vijnë dhe frekuentojnë bregdetin tonë. Është për herë të parë këtë vit dhe ky është patjetër një zhvillim shumë i rëndësishëm për të rritur cilësinë e shërbimeve policore, për të ofruar më shumë rend, siguri dhe siguri detare.
Ndërkohë Lamallari, u shpreh se Policia e Shtetit ka rritur masat për garantimin e sigurisë gjatë sezonit turistik. Ai bëri të ditur se në katër muajt e fundit janë shpëtuar mbi 200 turistë, janë shtuar kontrollet ndaj mjeteve lundruese dhe ka hyrë në fuqi urdhri për kufizimin e niveleve të zhurmës, me synim garantimin e një sezoni sa më të qetë për pushuesit./ZËRI