SPANJË-Garda Civile Spanjolle ka goditur një organizatë kriminale ndërkombëtare për trafikun e sasive të mëdha të kokainës përmes porteve të ndryshme spanjolle, kryesisht Malagës, Algecirasit dhe Valencias. Mediat vendase raportojnë se gjatë aksionit janë sekuestruar rreth 21 tonë drogë dhe 43 persona janë vendosur në pranga. Ndërkohë nga bastisjet e shtëpive në Spanjë janë sekuestruar një milion euro para cash.
Organizata kriminale përbëhej nga tre degë. E para, dega kryesore spanjolle, përbëhej nga shtetas spanjollë dhe marokenë dhe ishte përgjegjëse për krijimin e strukturës së biznesit të nevojshme për importimin e kontejnerëve nga Amerika e Jugut. Funksioni i saj ishte t'i jepte aktivitetit një pamje të ligjshme dhe të siguronte një destinacion për ngarkesën legjitime.
Dega e dytë e rrjetit e kishte origjinën në Ekuador, nga ku buronte pjesa më e madhe e drogës së sekuestruar. Nga qendrat kryesore logjistike të vendit, kryesisht porti i Guayaquil, ata kontrollonin "kontaminimin" e kontejnerëve që përfundimisht do të arrinin në Spanjë.
Dega e tretë, me seli në Dubai, përbëhej nga investitorë me origjinë shqiptare të cilët investuan shuma të mëdha parash në kompanitë spanjolle. Këto fonde u përdorën për të fshehur pagesat përmes transaksioneve fiktive të biznesit dhe për të mbajtur një sistem të rregullt për transportimin e narkotikëve.
Emrat e personave të arrestuar apo drejtuesve të organizatës ende nuk janë zbuluar për mediat. Hetimi, i cili ka zgjatur më shumë se dy vjet, nisi me operacionet në Ekuador në mars të vitit 2025. Atje u zhvilluan rreth 50 kontrolle banesash në zona të ndryshme të vendit dhe u arrestuan 36 persona, duke goditur strukturën lokale të organizatës./ZËRI