TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka reaguar pas njoftimit të ambasadës amerikane në Shqipëri për ndërprerjen e fondeve për institucionet shqiptare. Në reagimin e parë pas zbatimit të urdhërit të lëshuar nga Donald Trump, SPAK thekson se është institucion i pavarur. Për ta, që prej krijimit si institucion, si Prokuroria e Posaçme edhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) kanë marrë mbështetje nga ndërkombëtarët; por përmes misioneve. Mbështetja e dhënë nga SHBA konsiston në trajnime, vizita studimore dhe pajisje të ndryshme teknike, pro jo në para. SPAK sqaron se për të ardhurat që përkthehen në paga dhe shërbime të tjera, mbështeten tërësisht tek buxheti i shtetit.
"Jemi informuar për Urdhrin Ekzekutiv të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të ndaluar implementimin e programeve të asistencës ndërkombëtare. SPAK është një institucion i pavarur, i cili mbështetet tërësisht në buxhetin e shtetit. Ligji 115 i vitit 2024 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor të Republikës së Shqipërisë” parashikon edhe buxhetin e miratuar për Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vitin 2025. Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), prej krijimit kanë pasur mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre përmes misioneve: OPDAT, ICITAP, DEA, FBI. Mbështetja e tyre është tejet e rëndësishme për fuqizimin e punës së SPAK dhe konsiston kryesisht në trajnime, vizita studimore, pajisje të ndryshme teknike dhe sistemin e menaxhimit të çështjeve,”-thuhet ndër të tjera në reagimin e SPAK.
Politika e Trump, “Amerika e para”, ka prekur edhe Shqipërinë, pasi SHBA kanë ngrirë fondet për organizatat dhe institucionet në vendet e huaja deri në një moment të dytë. Fondet janë ndërprerë edhe për institucionet shqiptare, mes tyre edhe SPAK dhe GJKKO. Kështu të gjitha institucionet që marrin fonde nga SHBA, për 90 ditë do t'i nënshtrohen një kontrolli. Shtëpia e Bardhë ka sqaruar se urdhri presidencial për pezullimin dhe më pas rishikimin vjen për shkak të shpenzimit të parave pa kriter nga administrata Biden./ZËRI
