VLORË-Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Vlorë, ku pas një sherri mes tre personave, njëri prej tyre ka ndërruar jetë. Viktima është shtetasi B.A, 63 vjeç.
Përplasja fizike ka ndodhur në lagjen “Pavarësia”, në afërsi të rrugës “Çipaj” në qytetin e Vlorës, ku i përfshirë ka qenë edhe djali i viktimës, i cili mbeti i lënduar lehtë.
Burime nga spitali bëjnë me dije se viktima ka pësuar goditje në pjesën e fytyrës dhe të grykës, dëmtime që rezultuan fatale për jetën e tij.
Njoftimi i policisë:
Sot, rreth orës 15:00, në vendin e quajtur “Rruga e Çipave”, dyshohet se pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, shtetasi B. A., 63 vjeç, është goditur me grushte nga dy shtetas, tashmë të identifikuar nga shërbimet e Policisë dhe vijon puna për kapjen e tyre.
Si pasojë e dëmtimeve, shtetasi B. A, ka humbur ndjenjat dhe është transportuar në Spitalin Rajonal Vlorë, ku më pas ka ndërruar jetë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon intensivisht për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Policia ka nisur hetimet, ndërsa mësohet se të tre personat e përfshirë në konflikt ishin të njohur me njëri-tjetrin./ZËRI