TIRANË- Gjykata Administrative ka shtyrë seancën në lidhje me padinë e bërë nga kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i cili ka kërkuar pavlefshmëri të emërimit si prokuror në vitin 2008. Sipas burimeve, seanca është shoqëruar me diskutime.
Në seancën në Gjykatën Administrative kundër Dados, Veliaj ka kërkuar kërkon pavlefshmërinë e emërimit të këtij të fundit si prokuror. Veliaj tha se Dado nuk e ka shkollën e Magjistraturës, por arreston njerëz. Në fjalën e mbajtur në seancën e Gjykatës Administrative, Veliaj është shprehur se procesi i ngritur ndaj tij është një kurth dhe se ai është i vetmi njeri i arrestuar nga dikush që nuk ekziston, Nesti Angoni.
Erion Veliaj: Nuk jam këtu për mëshirë, apo për dramën e familjes time dhe çka më shkaktoi mua kjo. Dua të flas se çfarë ka shkaktuar për Bashkinë e Tiranës. Unë kam 14 muaj që lexoj letra dhe kur shikoj që njerëz që s’kanë mbaruar magjistraturën arrestojnë njerëz. Jam kallëzuar nga një njeri që nuk ekziston. Pra nuk jam denoncuar nga një person anonim, por nga Nesti Angoni që nuk ekziston.
Hazbi Balliu: Ju lutem fokusohuni tek procesi që jemi sot.
Veliaj: Veç në rastin tim ka një kallëzim fake. Fitova gjyqin për shpifje për një italian dhe doli se ka gënjyer për inceneratorët. Kam frikë se është një kurth ky proces i imi. Kë ka dëmtuar Erion Veliaj, 101 çerdhet që ndërtoi apo pemët apo shkollët?
Hazbi Balliu: Kaloni tek pikat e procesit.
Veliaj: Nesti Angoni të kallëzon dhe regjistrohet çështja pas 7 muajsh dhe jo pas dy javësh siç është afati. Ka diçka që nuk shkon. Është dora e një njeriu që ka marrë porosi. U shty dhe një vit tjetër regjistrimi i emrit Erion Veliaj. Më është bërë një vetting 20-vjeçar i imi. Edhe kur kam qenë i mjafti dhe më thotë në vitin 2004 me kë kam qenë me charter. Mund të kem qenë dhe me Bin Ladenin. Por ku e di unë kush është, aty ka qenë avion turistik.
Prokurori Olsi Dado nuk ka qenë i pranishëm në seancë dhe është përfaqësuar nga avokati i tij, Erarbër Madhi. Pala mbrojtëse e prokurorit kërkoi mospranimin e padisë, duke argumentuar se nuk ndikon në ndjekjen penale dhe se në çështje është i përfshirë edhe një prokuror tjetër (Altin Dumani).
Avokati i Ols Dados: Gjykata të mos e pranojë këtë padi. Këtë kemi kërkuar. Në ndjekjen penale ka dhe një prokuror tjetër dhe nuk ndikon tek ndjekja penale. U kemi vënë në dispozicion dekreti i vitit 2008. Është procesverbali i mbledhjes së KLP 2008 për propozimin e Ols Dados për prokuror. Janë aktet e KLP me lidhje me këto kërkesa.
Megjithatë, Gjykata Administrative ka konstatuar parregullsi në padinë e depozituar nga kryebashkiaku Erion Veliaj për pavlefshmërinë e emërimit të Ols Dados si prokuror, duke i lënë palës paditëse afat për korrigjimin e tyre, në të kundërt rrezikon pushimi i çështjes.
Hazbi Balliu: Gjykata konstaton të meta në padi në lidhje me palët paditëse. Të metat të rregullohen brenda 20 ditëve, ndryshe do të pushohet gjykimi. Pala e tretë, që është KLP, e cila është thirrur nga paditësi, duhet të jetë palë e paditur dhe jo palë e tretë.
Nga ana tjetër, në një prononcim për gazetarët, avokati Ndreca thotë se padia nuk ka mangësi, duke theksuar se janë shkelur rëndë të drejtat e kryebashkiakut. “Nuk janë plotësuar kriteret për arrestimin e tij”, tha ai.
Ndërkohë, seanca e radhës do të mbahet më 8 maj, ora 14:00. Gjykata ka kërkuar që të rregullohet ndërgjyqësia, ose në të kundërt, do të vendoset pushimi i padisë së kryebashkiaku.
Pas seancës së ballafaqimit, kryebashkiaku Veliaj ka hipur me pranga në duar në furgonin e Burgjeve për t'u përcjellë sërish në qelinë e paraburgimit në Durrës ku qëndron i izoluar që prej 10 shkurtit të vitit të kaluar. Ai mbërriti mesditën e sotme, teksa u pa me pranga dhe librin e Fan Nolit në duar./ZËRI