KORÇË-Katër persona janë përfshirë në një konflikt fizik në një servis makinash në lagjen 10 të qytetit të Korçës. Sherri ka agravuar deri në përdorimin e një mjeti të mprehtë (gërshërë), ku i plagosur ka mbetur pronari i biznesit Renaldo Xhixho.
Xhixho është dërguar me urgjencë në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa edhe të tjerët kanë marrë lëndime. Burime nga spitali bëjnë me dije se të plagosur janë edhe 3 persona të tjerë: njëri me dëmtime në shpatull dhe krah, tjetri në fytyrë dhe tjetri me lëndime të lehta. Konkretisht të plagosurit e tjerë janë identifikuar si Ergys Themelko, Erion Demolli dhe Lidi Meno.
Mësohet se konflikti ka nisur pasi tre personat që u konfliktuan me pronarin e servisit kanë çuar te ai një mjet për t’i ndryshuar ngjyrën, ndërsa ditën e sotme kanë shkuar pranë servisit duke pretenduar se nuk u ka pëlqyer rezultati i punës.
Njoftimi i policisë:
Mëngjesin e sotëm, në lagjen nr. 10, Korçë, ka ndodhur një konflikt fizik midis disa shtetasve. Si pasojë e konfliktit, janë dëmtuar 3 prej tyre (njëri prej të cilëve me mjet prerës gërshërë) të cilët u dërguan për mjekim në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Në ambientet e Komisariatit ndodhet i shoqëruar një shtetas, për veprime të mëtejshme procedurale.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e mëtejshëm të rrethanave të ngjarjes.
Dyshohet se shkaku mund të lidhet me pakënaqësi të klientëve ndaj punës së bërë nga Xhixho. Ndërkohë policia po vijon hetimet për zbardhjen e shkaqeve të konfliktit dhe për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë./ZËRI