TIRANË- Një përplasje fizike është regjistruar mesditën e kësaj të hëne në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, në rrugën “Ibrahim Rugova”, ku i përfshirë ka qenë biznesmeni Nadir Çausholli, pronar i kompanisë farmaceutike "CFO Pharma". Sipas raportimeve, konflikti ka ndodhur me pronarin e një lokali në këtë zonë, shtetasi Mirton Lika 53-vjeç.
Pamjet e siguruara nga ZËRI tregojnë momentet e përplasjes, ku Çausholli, i veshur me një këmishë të bardhë, ngre duart, duke dhënë përshtypjen se kërkon të shmangë përshkallëzimin e situatës. Megjithatë, vetëm pak sekonda më vonë ai tenton të godasë personin me të cilin dyshohet se ishte konfliktuar. Situata është qetësuar pas ndërhyrjes së disa personave të tjerë të pranishëm në lokal, ndërsa shoqëruesit e biznesmenit e largojnë atë nga ambienti i lokalit.
Burime për ZËRI bëjnë me dije se shkak i konfliktit dyshohet të ketë qenë një karikues për automjete elektrike, i cili, sipas të njëjtave burime, ishte vendosur në zonë nga Çausholli. Mësohet se karikuesi është hequr me urdhër të institucioneve kompetente, çka dyshohet se ka sjellë përplasjen mes palëve.
Në njoftimin zyrtar, Policia konfirmon se bëhet fjalë për një konflikt të ndodhur për montimin e një pajisjeje karikimi për automjete elektrike në trotuar.
Ndërkohë, pas këtij konflikti, mësohet se është depozituar një kallëzim penal ndaj biznesmenit për veprat penale të "kanosjes" dhe "shkatërrimit të pronës". Ndërkohë, blutë bëjnë me dije se nga ana tjetër edhe Çausholli ka kallëzuar 53-vjeçarin se e ka kanosur me fjalë.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 proceduan penalisht shtetasin N. Ç., 48 vjeç, për veprat penale “Kanosja” dhe “Vetëgjyqësia”.
Ky shtetas, më datë 06.07.2026, në rrugën “Ibrahim Rugova”, gjatë një konflikti të ndodhur për montimin e një pajisjeje karikimi për automjete elektrike në trotuar, dyshohet se ka kanosur me fjalë shtetasin M. L., 53 vjeç, si dhe ka goditur me shkelm një karrige në drejtim të tij.
Nga ana tjetër, shtetasi N. Ç. ka kallëzuar se është kanosur me fjalë nga shtetasi M. L.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, ZËRI ka siguruar edhe kallëzimin e 53-vjeçarit Mirton Lika. Ky i fundit ka treguar momentin si ka nisur konflikti, sipas të cilit, ka menduar fillimisht se Çausholli do të sqarohej me të, por më pas ai ka agravuar duke shkelmuar një karrige dhe është ndalur nga shokët e tij. Sipas kallëzuesit, në momentin kur shokit i kanë thënë atij 'mos mos duart lart', ka dyshimet se mund të ketë pasur një mjet prerës.
Ai shton se megjithëse situata u qetësua me ndërhyrjen e të pranishmëve, Çausholli është larguar duke e ofenduar dhe kërcënuar me fjalët "Do të zhduk nga faqja e dhehut".
Në kallëzim ai thekson: "Dua të sqaroj se shtetasi Nadir Çausholli nëpërmjet shoqëris së tijë të taksive ditën e sotme ka vendosur një paisje të re karikimimi që nuk i korepondon të parës e cila është e sekuestruar më datë 18.05.2026 Komisariati nr.2 Tiranë dhe dhe vlersuar i ligjshëm nga prokuroria. Në këto kushte i bindur poltësishtë se ata nuk ishin të paisur me lejen përkatse dhe për sa kohë çështja është në prokurori u kam kërkuar të njihem me dokumnetacionin që sipër përmendën i cili rezultoj i rremë për kohë unë nuk kam djeni dhe ata janë në shkelje flagrante të ligjit."
/ZËRI