SARANDË- Një 62-vjeçar është arrestuar nga policia pasi ka kanosur me pistoletë fqinjët e tij. Policia bën me dije se kallëzimi është bërë nga një shtetase, se 62-vjeçari Shefki Kaçupaj kishte hyrë i armatosur në banesën e saj duke e kanosur atë dhe familjarët.
Mësohet se shkak i konfliktit dyshohet se është bërë shfrytëzimin i pjesës së përbashkët (tarracë) në pallatin ku banonin.
“Hyri në banesën e fqinjëve dhe i kanosi me pistoletë, arrestohet 62-vjeçari. Sekuestrohet arma e zjarrit (pistoletë me mulli). Pas njoftimit të një shtetaseje, se fqinji kishte hyrë i armatosur në banesën e saj, në lagjen nr. 4, dhe kishte kanosur atë dhe familjarët e saj, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë organizuan menjëherë punën dhe shkuan në vendngjarje, me qëllim neutralizimin e autorit. Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale, u arrestua shtetasi Sh. K., 62 vjeç. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se shtetasi Sh. K. kishte kanosur fqinjët, me armë zjarri (pistoletë me mulli), si pasojë e mosmarrëveshjeve me ta, mbi shfrytëzimin e pjesës së përbashkët (tarracë) në pallatin ku banonin. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Sarandës, për veprime të mëtejshme”, njofton Policia./ZËRI