TIRANË- Behgjet Pacolli merret nën hetim nga Prokuroria e Tiranës. Ky ishte lajmi që ktheu vëmendjen tek aeroporti i Vlorës.
Tashmë ky institucion ka ngritur një grup prokurorësh për hetimin e çështjes së aeroportit të Vlorës. Hetimi është regjistruar për tre persona: biznesmenin Behgjet Pacolli, vëllain e tij Emin Pacolli, si dhe shtetasin Nelson Çela, administrator i kompanisë mëmë në Zvicër “Mabco Construction S.A.”.
Nelson Çela u thirr në Prokurorinë e Tiranës dhe më pas nënshkroi dorëheqjen si administrator i kompanisë në pronësi të Pacollit.
Të tre janë zyrtarisht nën hetim për mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik, si dhe falsifikim të dokumenteve dhe akteve.
Por si nisi përplasja për këtë aeroport?
Plani për ndërtimin e aeroportit të ri të Vlorës, nisi në vitin 2021! Shqipëria filloi një projekt të ri madhështor: ndërtimin e një aeroporti të ri në Vlorë, në një sipërfaqe prej 297 hektarësh dhe me një vlerë të parashikuar investimi me104 milionë euro. Ky projekt do ti kushtojë taksapaguesve shqiptarë 138 milionë euro, përmes një marrëveshje koncesioni, ose afërsisht 40 për qind më shumë se sa kostoja e ndërtimit, në rast se koncesioni dështon apo nuk realizon fitime.
Tenderi u fitua nga tre kompani. Kontrata u nënshkrua më 20 prill 2021 nga kompanitë Mabco Constructions, me pronar Behgjet Pacollin, që zotëronte 58% të aksioneve; kompania turke YDA Group, e cila zotëronte 40% të aksioneve; dhe kompania 2A Shpk nga Kosova, me pronar Valon Ademin, i cili kishte 2% të aksioneve.
Por, po në mars të atij viti, shoqëria turke u tërhoq nga projekti. Si pasojë, kompania e Behgjet Pacollit mori në zotërim 98% të aksioneve të koncesionit të “Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës”, pasi bleu për 4,200 euro aksionet që zotëroheshin nga kompania turke.
Më 1 shtator të këtij viti, Behgjet Pacolli vendosi të shkarkojë administratorin e “Aeroportit të Vlorës”, Valon Lluka. Nga ky moment vijuan një sërë ngjarjesh të njëpasnjëshme! Aksioneri i minorancës në këtë koncesion, Valon Ademi, akuzoi publikisht Behgjet Pacollin për mashtrim.
Thelbi i konfliktit mes dy ortakëve ka qenë ndarja e aksioneve: Ademi zyrtarisht ka vetëm 2% të tyre, por pretendon 47%. Biznesmeni Ademi, në kallëzimin e depozituar në Prokurori në shtator 2025, ka pretenduar se përmes kompanisë së tij “2A Group” ka blerë 47% të aksioneve të aeroportit.
Kontrata e blerjes së aksioneve mësohet se është firmosur para noteres Valbona Selimi. Kjo kontratë është nënshkruar menjëherë pas largimit të grupit turk YDA nga koncesioni i aeroportit. Behgjet Pacolli mohoi çdo akuzë, duke ia lënë fajin ish-administratorit Valon Lluka. Pacolli pretendon se Lluka dhe noterja kanë falsifikuar dokumentat. Ndërsa ish-administratori pretendon se ka fakte dhe dokumenta në lidhje e procesin noterial.
Emin Pacolli, vëllai i biznesmenit nga Kosova Behgjet Pacolli, është marrë në pyetje në Prokurorinë e Tiranës lidhur me veprimet e kryera në kompaninë koncesionare për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Ai ka dhënë shpjegime lidhur me shitjen e 49% të aksioneve tek biznesmeni Valon Ademi. Në dëshminë e dhënë, ai ka pranuar se ka një konflikt tregtar me Ademin për çështjen e aksioneve, por ka shtuar se vëllai i tij, Behgjet Pacolli, nuk ka pasur dijeni për këtë, pasi nuk ka të drejtë firme në kompaninë e cila aktualisht zotëron 98% të aksioneve të aeroportit.
Pas këtyre zhvillimeve, ka reaguar edhe vetë Behgjet Pacolli. Ai ka deklaruar se qeveria shqiptare nuk ka paguar dhe nuk do të paguajë asnjë qindarkë për ndërtimin e këtij aeroporti. Sipas tij, ndërtimi i aeroportit dhe të gjitha investimet financohen nga koncesionari dhe se lajmet për të në media janë të pavërteta.
Lidhur me çështjen, në Prokurori është thirrur dhe marrë në pyetje edhe noterja Valbona Selimi, e cila ka pranuar se palët, kanë nënshkruar kontratën në prill 2025.
Përtej këtij debate mes dy ortakëve që tashmë janë kthyer në armiq publikë një pikë tjetër kyçe po zhvillohet në një tjetër prokurori. Siç konfirmoi drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, çështja po hetohet edhe nga SPAK. Një aeroport, dy hetime penale! Si do të shkojë më tej? Mbetet për t’u parë!
Në Prokurori ka mbërritur një kallëzim i ri për çështjen në fjalë. Emin Pacolli ka depozituar një kallëzim penal kundër ish-administratorit Valon Lluka, noteres Valbona Selimi si dhe aksionerit të minorancës Valon Ademi, duke i akuzuar për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh, për të përvetësuar e 47% të aksioneve.
Palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjeve dhe përpjekje për përvetësim të padrejtë të aksioneve.
Nga ana tjetër, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, i ka hequr të drejtën e votës kompanisë në pronësi të Behgjet Pacollit deri në përfundim të hetimeve.
Ndërkohë, një fletë-thirrje për t’u paraqitur dhe për t’u pyetur si person që ka dijeni të ngjarjes i ka ardhur edhe vetë biznesmenit Behgjet Pacolli.
Prej gati dy muajsh, vëllezërit Pacolli janë përballur me akuza të shumta, por tashmë duket se kanë kaluar në kundërsulm ndaj personave që, sipas tyre, kanë kryer veprime arbitrare dhe antiligjore. Gjithçka mbetet për t’u parë se si do të përfundojë kjo ngjarje! /ZËRI