Aktualitet

Shiti të dhënat personale të 18 mijë amerikanëve, GJKKO dënon Shpend Sokolin

Treshja gjykuese Flojera Davidhi, Elsa Ulliri dhe Atalanta Zeqiraj morën sot vendimin duke e dënuar me 5 vite e 6 muaj burg.

zh.ll
Shiti të dhënat personale të 18 mijë amerikanëve, GJKKO
spak

TIRANË- Gjykata e Posaçme shpalli fajtor Shpend Sokolin, i akuzuar për mashtrime kompjuterike nëpërmjet tregut online “dark internet” me platforma “Rydox”. Treshja gjykuese Flojera Davidhi, Elsa Ulliri dhe Atalanta Zeqiraj morën sot vendimin duke e dënuar me 5 vite e 6 muaj burg.

Disa ditë më parë SPAK shpalli pretencën ku kishte kërkuar dënimin me 6 vite burgim të Sokolit. Por, për shkak të gjykimit të shkurtuar është ulur 1/3 e dënimit dhe përfundimisht Sokoli do vuajë 3 vite e 8 muaj burgim. Gjykata ka vendosur gjithashtu sekuestrimin e llogarisë së tij në platformën Binance dhe kthimin e provave materiale personave që u përkasin.

Sokoli është një nga të arrestuarit që operonin në tregun e paligjshëm kibernetik RYDOX, ku shiteshin të dhëna dhe informacione për biznese dhe persona të ndryshëm, kryesisht në SHBA. Nga ky aktivitet u prekën rreth 18 mijë llogari.

Ndërsa dy bashkëpunëtorët e tij, Ardit dhe Jetmir Kutleshi, janë ekstraduar më herët drejt SHBA në kulmin e një hetimi të kryesuar nga FBI, në kuadër të hetimit ndërkombëtar mbi tregun e paligjshëm online RYDOX. Bëhet fjalë për një treg të nëndheshëm online.

Vendimi i GJKKO-së:

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë

Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Shpend Sokoli, i akuzuar për kryerjen e veprave penale: “Mashtrimi kompjuterik” në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334, paragrafi i parë, të Kodit Penal.”.

Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Flojera Davidhi, Elsa Ulliri dhe Atalanta Zeqiraj, me vendimin nr. 37, datë 04.05.2026 vendosi:

Deklarimin fajtor të të pandehurit Shpend Sokoli, për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pajisjeve”, kryer në bashkëpunim të posaçëm, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga neni 293/ç dhe 28/4, në lidhje me nenin 334, paragrafi parë të K.Penal, dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet e 6 (gjashtë) muaj burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Shpend Sokoli, për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi dytë të K.Penal, dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.
Në bazë të nenit 55 të K.Penal, bashkimin e dënimeve të dhëna me një dënim të vetëm, duke e dënuar të pandehurin Shpend Sokoli, me 5 (pesë) vjet e 6 (gjashtë) muaj burgim.

Në aplikim të nenit 406/1 të K.Pr.Penale, të pandehurit Shpend Sokoli i zbritet 1/3 e masës së dënimit me burgim, duke u dënuar përfundimisht me 3 (tre) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.
Vuajtja e dënimit të fillojë nga dita e ndalimit të të pandehurit dhe të vuhet në një burg të sigurisë së lartë.
Në bazë të nenit 190/1, shkronja “a” të K.Pr.Penale, të nenit 36/1, shkronjat “a” dhe “ç”, të K.Penal, konfiskimin e fondeve të shtetasit Shpend Sokoli në Binance, në llogarinë me të dhëna UID: ****, Email: ****, User Name: ****.
Provat materiale të sekuestruara t’u kthehen personave që u përkasin. 
Në mbështetje të nenit 485/3 të K.Pr.Penale, shpenzimet procedurale dhe ato gjyqësore, sipas formularit bashkëlidhur, i ngarkohen të pandehurit. 

Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi të arsyetuar.
 Tiranë, më datë 04.05.2026

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.

Shpend Sokoli së bashku me Ardit Kutleshi dhe Jetmir Kutleshi, bashkëpunonte për të kryer këtë aktivitet të p-aligjshëm, ndërsa ishin nën hetim nga FBI.

Sipas hetimit amerikano-shqiptar, rezulton se rrjeti Rydox ishte aktive nga viti 2016, i çaktivizuar për pak kohë në 2020 për t'u rihapur sërish. Rydox reklamonte forumin kriminal RaidForums, ku shiteshin regjistra spam, mjete për dërgimin e tyre dhe tutoriale për përdorimin e tyre. Nga të dhënat e rrjetit përfshiheshin 18,000 përdorues dhe transaksionet e tyre virtuale.

Sipas aktakuzës, Rydox kishte gjeneruar të paktën 230 mijë dollarë të ardhura që prej kur kishte filluar në shkurt të vitit 2016. Ardit Kutleshi dhe Jetmir Kutleshi përballen me disa akuza për vjedhje identiteti dhe mashtrimi, të gjitha të lidhura me rolin e tyre si administratorë të faqes Rydox. Ata akuzohen se, ndër tjerash, kishin shitur të dhënat e kredit kartelave të mijëra “viktimave që jetojnë në SHBA”./ZËRI

Poll

MOS HUMB