TIRANË- Seanca e kësaj të hënë për pushimin e çështjes në ngarkim të gjyqtares Irena Gjoka është shtyrë. Shkak është bërë kërkesa e Partisë Demokratike për përjashtimin e gjyqtares Marinela Osmani nga çështja. Kallëzuesit kanë kërkuar gjithashtu që dosja të kthehet për hetime në SPAK, duke argumentuar se vetë Gjoka duhet të merret si e pandehur.
Gjyqtarja Gjoka u kallëzua nga Partia Demokratike me pretendimin se ka fshehur në formularin e dekriminalizimit një dënim të dhënë ndaj saj nga një gjykatë në Janinë. Ndërkohë, sipas dëshmisë së gjyqtares, e cila rezultonte të ishte dënuar në vitin 2005 nga një gjykatë e Janinës, është e bindur se nuk ka bërë asnjë shkelje kur nuk e ka deklaruar një fakt të tillë në formularin e dekriminalizimit.
Në dëshminë e saj të dhënë në SPAK, pas kallëzimit të PD për falsifikim të vulave dhe formularëve, Gjoka ka deklaruar se nuk ka pasur dijeni për vendimin që nuk u ekzekutua kurrë nga autoritetet greke, as për ndonjë proces hetimor penal të zhvilluar ndaj saj në Greqi.
“Nuk kam patur asnjë herë dijeni as për procesin hetimor penal të zhvilluar ndaj meje, as për procesin gjyqësor dhe për asnjë proces tjetër të zhvilluar nga autoritetet greke të drejtësisë...Në muajin Dhjetor të vitit 2002, jam paraqitur në PKK Kakavijë, për të udhëtuar drejt shtetit Grek dhe pas një debati që kam bërë me punonjësit e policisë kufitare, për shkak të mënyrës së sjelljes së tyre arbitrare, më është refuzuar hyrja për në shtetin Grek, duke më vendosur kryq në vizën me të cilën isha pajisur pranë ambasadës greke në Tiranë”, thotë Gjoka në dëshmi.
Por, çfarë pretendon SPAK?
Sipas SPAK gjatë hetimeve janë administruar materiale të shumta, përfshirë kallëzime shtesë, dokumente nga institucione vendase dhe të huaja, si dhe janë kryer verifikime në Prokurorinë e Përgjithshme, Ministrinë e Drejtësisë dhe autoritetet greke, përmes bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.
SPAK argumenton se nga dokumentacioni i ardhur nga Greqia rezulton se ndaj Irena Gjokës ekziston një vendim i vitit 2005 i Gjykatës së Shkallës së Parë në Janinë, ku ajo është shpallur fajtore për shkelje që lidhen me hyrjen dhe qëndrimin e paligjshëm në territorin grek, duke u dënuar me burgim dhe gjobë, kjo e fundit e konvertuar sipas vendimit. Si pasojë, ndaj saj janë marrë masa administrative, përfshirë dëbimin dhe ndalimin e hyrjes në zonën Schengen, të cilat janë kundërshtuar prej saj në gjykatat administrative greke. Vendimi ishte dhënë në mungesë të saj dhe pa njoftim të rregullt, ndërsa më pas autoritetet greke e kanë arkivuar për shkak të parashkrimit.
Sipas SPAK, në dëshmitë e penalitetit të lëshuara nga autoritetet greke nuk figuron dënim penal ndaj Gjokës, ndërkohë që edhe vetëdeklarimi i saj për mungesë vendimi të formës së prerë është i saktë. Për pasojë, ndjekja penale konsiderohet e shuar dhe nuk provohet se gjyqtarja ka kryer veprën penale.
Por çfarë ka ndodhur me çështjen e Irena Gjokës? PD ka kallëzuar Irena Gjokën në Prokurorinë e Përgjithshme për falsifikim të formularit të dekriminalizimit, ku sipas PD, Gjoka ka fshehur një dënim për falsifikim vize në Greqi. Prokuroria e hetoi për 2 vite këtë çështje dhe deklarimet e Gjokës dhe doli në përfundimin se ajo ishte dënuar në Greqi, por vendimi nuk është ekzekutuar asnjëherë dhe dënimi është shuar. Por megjithëkëtë, Prokuroria i kërkoi KLGj që të vlerësonte nëse Gjoka ishte ose jo në kushtet e ndalimit për të marrë postin e gjyqtares sipas parashikimeve të ligjit të dekriminalizimit.
Fill pasi Prokuroria e Përgjithshme dërgoi materialet në KLGJ, gjyqtarja i dërgoi një letër Këshillit ku shpjegonte arsyet përse nuk e kishte deklaruar më herët dënimin. Gjoka tha se nuk e kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit një vendim gjyqësor grek, për falsifikim vize pasi vendimi i dënimit i dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Janinë, nuk i është njoftuar asnjëherë dhe nuk ka marrë formë të prerë.
Sipas gjyqtares Gjoka, vendimi i dënimit jo i formës së prerë i Gjykatës së Shkallës së Parë Janinë nuk mund të përbëjë shkak për mbarimin e mandatit si gjyqtare, sepse ky vendim nuk cenon kushtet e zgjedhshmërisë./ZËRI