Aktualitet

Shkarkimi i Prodës, rihap konkursin për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit

Kompetencat e kryepolicit i janë deleguar zv.drejtorit Sokol Bizhga, deri në zgjedhjen e drejtuesit të ri me garë, në bazë të ligjit.

F.I
Shkarkimi i Prodës, rihap konkursin për Drejtorin e
Ilir Proda

TIRANË-Ilir Proda, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit është shkarkuar nga detyra. Në krye të Policisë së Shtetit është komanduar Sokol Bizhga, i cili mbante detyrën e zv.Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Largimi i Prodës i hap rrugën garës për kreun e ri të bluve.

Në zbatim të ligjit për Policinë e Shtetit pas shkarkimit të Prodës rihapet konkursi për drejtuesin më të lartë të Policisë. Kompetencat e kryepolicit i janë deleguar zv.drejtorit Sokol Bizhga, deri në zgjedhjen e drejtuesit të ri me garë, në bazë të ligjit.

Përzgjedhja për kreun e Policisë së Shtetit bëhet në bazë të profilit të tyre profesional dhe meritës në punë. Fillimisht Komisioni i Posaçëm kryen verifikimin e pastërtisë së figurës për të gjithë kandidatët e kualifikuar, duke kërkuar të dhënat përkatëse nga organet ligjzbatuese si vijon: Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Prokuroria e Përgjithshme, Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit (DPPSH), Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), Agjencia e Informacionit të Sigurisë së Mbrojtjes (AISM).

Në fund të këtij procesi, Komisioni i Posaçëm i dorëzon në bazë të ligjit Ministrit të Brendshëm listën me 5 kandidatët më të vlerësuar. Më pas Ministri i Brendshëm do t’i përcjellë Këshillit të Ministrave kandidaturat dhe vendimi merret nga qeveria.

Një përzgjedhje për drejtuesin e ri do të bëhet edhe për Tiranën, ku mësohet se nga detyra është shkarkuar edhe kreu i Policisë së Tiranës, Elton Alushi. Për këtë të fundit ende nuk ka një emër se kush do të komandohet në vendin e tij.

Shkarkimi i drejtuesëve erdhi pas protestës së Partisë Demokratike gjatë ditës së djeshme (28 shkurt), ku u vunë në rrezik jetët e artistëve të huaj dhe punonjësve që ishin brenda vilës së Enver Hoxhës, gjatë sulmit me molotovë. Proda dhe Alushi raportohet se u shkarkuan me argumentin e mos-garantimit të rendit dhe vënien në rrezik të jetës së qytetarëve.

Në këto kushte pritet që Ministria e Brendshme të hapë zyrtarisht garën për drejtuesit e rinj të policisë./ZËRI

Poll

MOS HUMB