MAMURRAS-Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të martë, më 19 maj, në Mamurras, ku një person ka mbetur i plagosur pas një operacioni policor për arrestimin e tij. Ngjarja ka ndodhur në një karburant në aksin rrugor “Mamurras–Laç”, ku gjatë operacionit për kapjen e të kërkuarit për tentativë vrasje, Leonard Dema, ky i fundit bashkë me shokun e tij, Amadeo Fufi ka tentuar të përplasë me autojmet efektivët.
Po ashtu gjatë momentit të ndërhyrjes 28-vjeçari, Amadeo Fufi i cili shoqëronte Demajn u ka drejtuar armën efektivëve. Në këto kushte policët për neutralizimin e tyre, kanë plagosur Leonard Demajn, i cili është në kujdesin e mjekëve. Leonard Dema, 23 vjeç, lindur në Mamurras, rezulton i dënuar me 7 vjet burgim nga Gjykata e Trentos, për tentativë vrasjeje. Ai është dërguar në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Njoftimi i policisë:
Tentuan të përplasnin me automjet efektivët e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale duke iu rrezikuar jetën, neutralizohen dhe arrestohen 2 shtetas.
Njëri prej tyre ishte i shpallur në kërkim, i dënuar në Itali për tentativë vrasjeje, ndërsa shtetasi që e shoqëronte ishte i armatosur.
Gjatë neutralizimit është plagosur 23-vjeçari në kërkim, i cili është transportuar në Spitalin e Traumës.
Policia ka sekuestruar armën e zjarrit pistoletë që posedonte shtetasi që shoqëronte të kërkuarin.
Në vijim të operacioneve të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, të realizuara pas shkëmbimit të informacioneve dhe koordinimit të veprimeve operacionale me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim kapjen e shtetasve në kërkim, është administruar informacion për vendndodhjen e shtetasit të shpallur në kërkim Leonard Dema, 23 vjeç, lindur në Mamurras, i dënuar me 7 vjet burgim nga Gjykata e Trentos, për tentativë vrasjeje.
Gjatë operacionit për kapjen e të kërkuarit, në momentin e ndërhyrjes, në një karburant në aksin rrugor “Mamurras–Laç”, 23-vjeçari, që shoqërohej nga shtetasi A. F, dhe lëvizte me automjet, sapo ka konstatuar efektivët, ka tentuar t’i përplasë me automjet, duke u rrezikuar jetën, si dhe personi shoqërues iu ka drejtuar armën e zjarrit pistoletë, shërbimeve të Policisë.
Shërbimet e Policisë, në kushtet e vetëmbrojtjes, gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e tyre, kanë plagosur shtetasin Leonard Dema, i cili është në kujdesin e mjekëve.
Në vijim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë dhe i shtetasit A. F., 28 vjeç, që shoqëronte shtetasin në kërkim.
Gjithashtu, është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë.
Vazhdojnë hetimet në bashkëpunim me AMP-në, dhe në drejtimin e Prokurorisë.