SHKODËR-Murtaja e rumitantëve është rikthyer në qarkun Shkodër pas afro një viti, duke prekur bagëtitë në fshatin Dajç, Shkodër.
Ministria e Bujqësisë ka nxjerrë një urdhër për vendosjen në karantinë të kësaj zone në një rreze prej 3-10 kilometër. Rasti i parë i muartajës për këtë vit është konstatuar në fshatin Mali i Gjymtit të Dajçit. Rreth 20 krerë dele të fermerit Sokol Volaj janë groposur ndërsa tashmë pritet asgjësimi edhe i afro 60 krerëve të tjera dele që ka ky fermer. Rasti ka 3 ditë që është konfirmuar zyrtarisht.
Ndërkohë administratori i Dajçit, Broz Pjetrani thotë se ka dyshime që në atë njësi mund të ketë edhe raste të tjera të murtajës tek bagëtitë e imta dhe do kryhen inspektimet dhe analizat përkatëse.
Përveç Dajçit drejtoria rajonale e ekstensionit bujqësor në Shkodër ka nisur kontrolle edhe në zona të tjera si shkak i rrezikut të përhapjes së murtajës. Kjo është një sëmundje që prek kafshët por që nuk transmetohet tek njeriu.