PUKË-Një ngjarje e rëndë është raportuar në zonën e Midës në fshatin Krrabë të Pukës, ku një 50-vjeçar është gjetur i shtrirë në dëborë. 50-vjeçari, Lumturi Kamberi është punonjës i kompanisë celulare ONE. Nga të dhënat e para dyshohet se ai kishte shkuar në këtë zonë për të riparuar një defekt në antenat e kompanisë ku ishte i punësuar, ndërsa më pas është gjetur në gjendje të rënduar shëndetësore. Kamberi u transportua me helikopter drejt Spitalit të Traumës për ndihmë të specializuar mjekësore.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 09:20, në sallën operative të Komisariatit të Policisë Pukë ka telefonuar shtetasi Gj. T., i cili ka njoftuar se në fshatin Krrabë ndodhej një person i shtrirë pranë antenave.
Menjëherë, shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me shërbimet e emergjencës civile dhe të shëndetësisë, kanë shkuar në vendngjarje (tek antenat në zonën e Midës).
Nga verifikimet ka rezultuar se bëhej fjalë për shtetasin L. K., rreth 50 vjeç, punonjës i një kompanie celulare, i cili dyshohet se kishte shkuar për të rregulluar një defekt në një antenë të kompanisë.
Shtetasi L. K. është transportuar me helikopter drejt Spitalit të Traumës, për ndihmë mjekësore. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave të rastit.