TIRANË- Shoqata e Gjyqtarëve i ka quajtur të papranueshme sulmet e nxitura së fundi në drejtim të anëtarit të zgjedhur të Gjykatës Kushtetuese, Asim Vokshi. Duket iu referuar lajmeve në Top Channel, që e cilësojnë zgjedhjen e Vokshit në shkelje të ligjit, duke aluduar se ai ka qenë agjent i shërbimeve inteligjente, Shoqata thotë se sulme të tilla kalojnë çdo kufi të kritikës dhe lirisë së medias.
Reagimi i plotë:
Në mbrojtje të integritetit dhe dinjitetit të magjistratit
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje dhe shqetësim të thellë deklarimet dhe publikimet e fundit në media vizive, të shkruara dhe elektronike, që kanë pasur në fokus kandidimin e magjistratit z.Asim Vokshi në pozicionin e gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese.
Këto publikime kanë marrë formën e sulmeve personale, të cilat kanë tejkaluar kufijtë e kritikës së lejueshme dhe janë shndërruar në denigrime që cënojnë drejtpërdrejt dinjitetin, reputacionin dhe integritetin institucional të magjistratit.
Shoqata vlerëson rolin themelor që ushtron media në një shoqëri demokratike, si garantuese e transparencës dhe përgjegjshmërisë publike. Liria e shprehjes dhe shpërndarjes së informacionit, të parashikuara në nenin 10 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) dhe nenet 22 e 23 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, përbëjnë baza të pandashme të shtetit të së drejtës. Megjithatë, ushtrimi i këtyre lirive duhet të bëhet në mënyrë të përgjegjshme, etike dhe në respekt të së vërtetës, në mënyrë që media të mos shndërrohet në mjet presioni apo në instrument për cënimin dhe denigrimin e figurës së magjistratëve.
Shoqata thekson se liria e medias nuk mund të përdoret për të justifikuar presione publike, nxitje, përbuzjeje apo cenim të dinjitetit njerëzor dhe institucional të magjistratit, sidomos në procese të tilla kandidimi me rëndësi dhe ndikim të madh në publik.
Denigrimet personale dhe përpjekjet mediatike për delegjitimim të proceseve të kandidimit të magjistratëve bien ndesh me standardet profesionale të gazetarisë, parimet e etikës publike dhe detyrimin për respektimin e dinjitetit njerëzor që burojnë nga Kushtetuta, ligji dhe instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Kalimi i këtyre kufijve përbën abuzim me të drejtat e garantuara dhe cënon besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, për të cilin magjistratët me punën e tyre të përditshme luftojnë ta fitojnë.
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë u bën thirrje të gjithë përfaqësuesve të medias televizive, të shkruar dhe elektronike që, në ushtrimin e profesionit të tyre, të udhëhiqen nga parimet e mirëbesimit, etika profesionale dhe deontologjia gazetareske. Ritheksojme se respektimi i dinjitetit të magjistratëve është kusht themelor për ushtrimin e pavarur të pushtetit gjyqësor dhe për ruajtjen dhe forcimin e besimit të publikut në drejtësi.
Ky qëndrim publik nuk duhet interpretuar si tentativë për krijimin e mureve komunikimi apo kufizim të bashkëpunimit me median. Përkundrazi, Shoqata rithekson gatishmërinë për dialog dhe bashkëpunim ndërinstitucional, në funksion të një komunikimi të ndershëm dhe profesional që reflekton rolin dhe përgjegjësinë e gjyqësorit në mbrojtje të shtetit të së drejtës dhe të parimeve të demokracisë.
Zgjedhja e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Asim Vokshi, si anëtari më i ri i Gjykatës Kushtetuese, po shoqërohet me një betejë të ashpër akuzash publike në media.
Në qendër të këtij debati është një raportim i televizionit kombëtar Top Channel, i datës 9 nëntor 2025, i cili pretendon se kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, KED, Sokol Sadushi, i ka “fshehur” Gjykatës së Lartë një informacion komprometues, sipas të cilit gjyqtari Vokshi ka qenë “informator ose agjent i shërbimeve të inteligjencës”.
Sipas Top Channel, ky informacion, i ardhur nga AKSIK, përbënte një kriter ndalues për përzgjedhjen e Vokshit si anëtar të Gjykatës Kushtetuese.
Televizioni pretendon në raportimin e tij se KED, i drejtuar nga kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, nuk e kreu detyrën për verifikimin e raportit të AKSIK-së.
“Të dhënat nuk u vlerësuan, nuk u panë dhe u anashkaluan,” raportoi Top Channel të dielën. Gjyqtari Asim Vokshi i cilësoi akuzat e Top Channel si të pavërteta dhe si një përpjekje për të penguar emërimin e tij në Gjykatën Kushtetuese.
“Fakti që bëhet scoop tani, flet vetë për qëllimet dashakeqe dhe të paligjshme me të cilat më bie rasti të përballem, vetëm për faktin se ndokujt nuk i pëlqen profili im për në Gjykatën Kushtetuese,” tha ai.
Çfarë e bën situatën edhe më të çuditshme është se vetë dokumentet e publikuara nga televizioni – një faksimile e vendimmarrjes së KED – bien në kontradiktë me raportimin e tij, ndërsa tregojnë se Këshilli jo vetëm që e ka verifikuar dokumentin e AKSIK-së, por ka kryer edhe një hetim administrativ dhe e ka rrëzuar atë si të pabazuar.
KED reagoi gjithashtu të hënën, duke e cilësuar të pavërtetë raportimin e Top Channel.
“Ky publikim mbështetet mbi të dhëna të rreme, të marra nga burime të dyshimta, në kufijtë e shkeljeve penale,” thuhet në njoftimin për mediat.
I kontaktuar nga BIRN, drejtori i informacionit në Top Channel, Robert Rakipllari, tha se televizioni i qëndronte vërtetësisë së raportimit të tij./ZËRI



