TIRANË- Një sasi e vogël lënde plasëse ka plasur në derën e një lokali në rrugën e Durrësit. Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:45, në Rrugën e Durrësit, në lokalin në pronësi të Arbër Sinanit. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Teksa hetimet kanë nisur, pronari i lokalit ka deklaruar në Polici se nuk ka dijeni kush mund të jenë autorët që i kanë vendosur sasinë e tritolit në biznesin e tij.
"Nuk e di kush mund ta ketë bërë, s'kam konflikte me askënd,"- mësohet të jetë shprehur pronari i lokalit në Komisariatin e Policisë, ndërkohë që raportohet se i riu nuk ka precedentë penalë në vendin tonë. Por ka dyshime se tritoli është vendosur pas konflikteve dhe përplasjeve që Sinani ka pasur konflikte për trafikun e drogës në Gjermani.
Arbër Sinani për disa kohë ka jetuar në Gjermani, ku dyshohet se mund të ketë qenë i përfshirë në aktivitet ilegal për trafikun e lëndëve narkotike. Ndërsa ende po hetohet, dy kamera sigurie që janë në lokal, nuk janë të pajisura me DVR, çka e bën të vështirë punën e hetuesve për identifikimin e autorëve që kanë vendosur tritolin.
Ndërkohë që janë sekuestruar kamerat e bizneseve të tjera përreth për të ndihmuar grupin hetimor.
NJOFTIMI I POLICISË:
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 03:45, në Rrugën e Durrësit, në lokalin në pronësi të shtetasit A. S., dyshohet se ka plasur një sasi e vogël lënde plasëse, e vendosur pranë derës hyrëse të lokalit. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Nuk ka persona të lënduar. Grupi hetimor po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./ZËRI