TIRANË- Shtëpitë funerale në Tiranë do të kenë rregulla strikte për ushtrimin e aktivitetit të tyre. Këshilli Bashkiak Tiranë ka miratuar së fundmi një vendim që lidhet me kontrollin dhe licensimin e “Shtëpive Funerale”. Sipas vendimit kushti kryesor është që ambientet ku këto biznese do të ushtrojnë aktivitetin e tyre nuk do të jenë më godina në pallate banimi.
Në vendimin nr.44 të datës 10 qershor 2025 të Këshillit Bashkiak theksohet se nëse zyrat e shërbimit të agjencisë funerale do të jenë në një godinë të banuar, nuk do të lejohet tregtimi i materialeve në këto ambiente.
Në rregulloren e bërë publike janë specifikuar kushte të tjera për licensimin e subjekteve që aplikojnë për të ushtruar këtë shërbim, nga numri i punonjësve, te kapacitetet e godinës për të kryer ritualet e lamtumirës për viktimën, e deri tek rastet kur do të revokohet licenca e këtij shërbimi. Sipas vendimit subjektet duhet të tregojnë kujdes pas daljes së këtij vendimi, pasi duhet të marrin masa brenda 6 muajve për ndryshimet e miratuara në rregulloren e re.
Gjithashtu këto subjekte do t’i nënshtrohen një kontrolli periodik të paktën 2 herë në vit, i cili do të kryhet nga Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit.
Pjesë nga vendimi i Këshillit Bashkiak Tiranë
1. Për t’u pajisur me licencë subjekti i pajisur me NIPT për ushtrimin e aktivitetit të shërbimit funeral dhe/ose ofrimin e shërbimit për shtëpi funerale, dorëzon fizikisht pranë Drejtorisë së Komunikimit me Qytetarët, në Bashkinë Tiranë, këto dokumente:
- Kërkesën për licencë;
- Vërtetim nga gjykata që subjekti nuk është në proces gjyqësor/nuk është dënuar;
- Vërtetim që janë paguar të gjitha detyrimet tatimore kundrejt Drejtorisë Rajonale Tatimore dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore;
- Vërtetim se ka paguar të gjitha detyrimet e kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.
- Ekstrakt historik i subjektit, ku të ketë të përcaktuar si objekt të saj zhvillimin e veprimtarive në fushën e shërbimit funeral;
- NIPT-in e subjektit;
- Vërtetim/çdo dokument të lëshuar nga Inspektorati që mbulon fushën e shëndetësisë, i cili të vërtetojë plotësimin e kushteve për mjetet që merren me transportin e kufomave, sipas pikës 1, të nenit 39, të vendimit nr. 711, datë 29.10.2014, të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullores “Për administrimin dhe funksionimin e varrezave në territorin e Republikës së Shqipërisë””, të ndryshuar.
2. Për subjektet të cilat aplikojnë për pajisje me licencë për ofrimin e shërbimit për shtëpi funerale duhet të dorëzojnë përveç dokumentacionit të përcaktuar në pikën 1, të këtij Kreu, edhe dokumentacion si më poshtë:
- Listën e personelit të nevojshëm për të zbatuar objektin e veprimtarisë (përfshirë këtu, por pa u kufizuar infermier, sanitar, shofer, financier etj). Lista e personelit duhet të përfshijë, funksionin e tyre si dhe licencat profesionale apo çdo dokument tjetër provues, nëse ka të tilla sipas legjislacionit përkatës në fuqi.
- Listën e mjeteve e pajisjeve teknike, të nevojshme që ka në dispozicion subjekti për përmbushjen e objektit të veprimtarisë (përfshirë këtu, por pa u kufizuar makina autofunebër, kapak frigoriferik, frigorifer të posaçëm për mbajtjen e kufomave etj.);
- Dokumentacion që vërteton se zotërojnë kapacitet ekonomik e financiar për zhvillimin e aktivitetit me anë të bilanceve financiare, paraqitjen e një pasqyre financiare që pasqyron fuqinë ekonomike dhe/apo çdo dokument provues nga subjekti, nëse ka.
3. Dokumentacioni i depozituar nga subjektet e interesuara sipas pikës 1 dhe 2, të këtij kreu, i përcillet për vlerësim Drejtorisë së Licencimit dhe Gjendjes Civile, e cila nëse vëren mungesë dokumentacioni apo pasaktësi, njofton menjëherë subjektin e interesuar dhe i lë një afat prej 10 ditësh pune për plotësim.
4. Në rast të mosplotësimit sipas pikës 3, subjektit do t’i refuzohet licencimi. Subjektit nuk i humbet e drejta për të aplikuar sërish.
5. Dokumentacioni duhet të jetë i lëshuar jo më parë se tre muaj nga dita e dorëzimit të kërkesës për licencim dhe duhet të jetë origjinal ose kopje të noterizuara.
Më poshtë do të gjeni dokumentin e plotë:
/ZËRI/