
KORÇË-Dy ditë pas konfliktit të ndodhur mes disa vajzave në afërsi të një lokali në bulevard “Republika” të Korçës që përfundoi me përdorimin e gotave të qelqit, ka folur për Euronews adoleshentja që u përfshi në sherr. E reja që qëlloi me gotë shtetasen P.M., e njohur si njëra nga vajzat që denigronte minorenet në një faqe Instagrami, tregoi se si ndodhi konflikti.
Sipas saj ajo i ka kërkuar llogari 19-vjeçares për faqen me foto denigruese, që kjo e fundit kishte hapur në 'Instagram'. 19-vjeçarja nuk kërkoi falje dhe sipas adoleshentes biseda degradoi në ofendime e fjalë banale. 18-vjeçarja deklaron se ishte shtetësja, P.M e para e cila u ngrit dhe kishte tentuar ta godiste. Në këtë moment e reja shprehet se e ka goditur me gotë për vetëmbrojtje.
"Si gjithmonë unë e shoqet e mia shkuam në kafeneja, me pas vjen vajza që kishte hapur faqen e Instagramit me shoqen e saj. Vajzat që ishin ngjitur me tavolinat e tjera shkuan për t’u sqaruar rreth çështjes që kishte ndodhur. Në muhabet e sipër përmendet emri im, shkova u interesova. Bisedoj me vajzën që kishte hapur faqen duke e pyetur përse e bëri diçka të tillë dhe si nuk ndjente respekt apo gjynah për vajzat që kishte përmendur. Me tha – “Përse vjen këtu, mos më kërko llogari'. I thashë se nuk shkova për t’u zënë por dua të di si unë dhe vajzat e tjera një sqarim nga ty. Rrinte tërë krenari dhe thoshte se “Nuk keni çfarë më bëni as ju, e askush tjetër. Këtu jam sot, ndodhi çndodhi ngelet ne te kaluarën” e fliste pa pendesë. Nuk kërkoi falje. Po degradonte me fjalë banale duke na ofenduar të gjithave ne, duke na thënë fjalë si ku*va, nga acarimi i tepërt e shava dhe unë, u ndjeva e prekur, nuk jemi ne ashtu por ti. Ajo nga nervat u ngrit dhe tentoi të më godiste. Unë nga vetëmbrojta marr gotën dhe i bie në fytyrë vajzës. Të them që i kërkoj falje familjes së saj por pres të njëjtën gjë nga ajo dhe familja e saj, për mua dhe vajzat që ajo ka denigruar në faqen e Instagramit dhe kushdo që ishte përmendur aty,"-u shpreh ajo.
Në lidhje me ngjarjen Policia e Korçës ka nisur procedimin penal ndaj 18-vjeçares, pasi mbrëmjen e së hënës ka goditur me gotë në fytyrë një 19-vjeçare. Ngjarja ndodhi në një lokal në lagjen nr.2 të qytetit, pranë bulevardit "Republika"./ZËRI