KOSOVË- Është ndarë nga jeta në moshën 71-vjeçare aktori i njohur Enver Petrovci. Lajmi është bërë i ditur nga familjarët e aktorit, i cili ka lënë pas një sërë rolesh në teatër dhe kinematografi.
“Me dhimbje dhe pikëllim të madh njoftojmë ndarjen nga jeta të aktorit tonë të dashur, Enver Petrovci. Kjo është një humbje e madhe për familjen tonë dhe për mbarë artin shqiptar. Ai do të kujtohet gjithmonë për shpirtin e tij fisnik dhe veprën e jashtëzakonshme që la pas”, ka shkruar Amir Petrovci, familjar i aktorit.
Gjatë karrierës së tij, ai shkëlqeu si në dramat klasike ashtu edhe në rolet moderne, duke fituar respektin dhe admirimin e kolegëve, kritikëve dhe publikut.
Petrovci lindi më 28 shkurt 1954 në Prishtinë. Fillimisht ai studioi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë në degën e aktrimit, më pastaj mbaroi studimet Universitare për aktor edhe në Fakultetin e Arteve Dramatike në Universitetin e Beogradit.
Ai la pas një karrierë shumë të suksesshme në teatër, sidomos në atë “Atelieja 212”.
Pas mbarimit të luftës në 1999-ën, vijoi me sukses karrierën e tij artistike në Kosovë, Shqipëri por edhe më gjerë. /ZËRI