Aktualitet

Ryshfeti “shkriu” Policinë e Sarandës/ Prona e Isuf Jaçajt u mor me forcë, në 2025-ën u ekzekutua

Biznesi dyshohet të jetë vendosur në emër të Arjola Dhrami Bajo prej 2022-shit, e cila është e shpallur në kërkim për ndërtim pa leje.  

F.I
Ryshfeti “shkriu” Policinë e Sarandës/ Prona e Isuf
Isuf Jaçaj

SARANDË-Detaje të reja janë zbardhur lidhur me ndërtimin pa leje që u zbulua nga Policia një ditë më parë (15 maj) në Sarandë. Operacioni çoi në arrestimin e 8 personave dhe ndalimin e 4 punonjësve të policisë, përfshirë shefin e Komisariatit të Sarandës, pas zbulimit të një ndërtimi pa leje në një hapësirë plazhi, pas të cilit dyshohet se fshihet një grup kriminal me bazë në Kamëz.

Prona në fjalë ka qenë në emër të Isuf Jaçajt, i cili u ekzekutua me tritol në makinën e tij në tetor të 2025. Ka dyshime se grupi kriminal mund të ketë kryer shpërthimin me tritol dhe të jenë autorë edhe të ngjarjeve të tjera në qytetin e Sarandës. Ballkan web shkruan se prona e tij dyshohet të jetë marrë me dhunë nga grupi kriminal, ku po ndërtohej një beach bar, i cili do vihej në funksion për sezonin veror. Biznesi dyshohet të jetë vendosur në emër të Arjola Dhrami Bajo prej 2022-shit, e cila është e shpallur në kërkim për ndërtim pa leje.  

Për lejimin e ndërtimit, dyshohet se janë dhënë ryshfete ndaj drejtuesve të policisë. Për këtë çështje, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ndaluar shefin e Komisariatit të Policisë Sarandë, si dhe tre vartës të tij, Gëzim Bashllari, Andi Duro, Ajdin Ismailaj dhe Robert Çullaj, të dyshuar për shpërdorim detyre dhe përfshirje në skemën korruptive që lejoi vijimin e punimeve.

Aksioni nisi pas një denoncimi të mbërritur në Policinë e Shtetit, për ndërtimin pa leje në një hapësirë plazhi në lagjen numër 1 në Sarandë, që çoi në arrestimin e 8 punëtorëve dhe shpalljen në kërkim të pronares Arjola Dhrami Bajo. Për këtë ndërtim, Policia e Shtetit njoftoi shërbimet e IKMT-së, IMT-së dhe Policisë Bashkiake, të cilat kryen prishjen e ndërtimeve.

Tre muaj para vrasjes së Isuf Jaçajt (tetor 2025), djalit të tij, Klaus Jaçaj iu hodh në erë automjeti. Djali i viktimës ndodhet në burg i akuzuar për plagosjen e 17 korrikut 2025 në Sarandë, ku u qëlluan me armë zjarri Gëzim Hajdarajn dhe Ernest Lame. Dy të rinjtë nga Kamza, u plagosën me armë zjarri nga Ramadan Zoto allias Canaj, pas një konflikti për një tokë në bregdet./ZËRI

Poll

MOS HUMB