KORÇË- Aleksandër Kola, çobani që punonte në stallat e Violand Braçellarit, personit të shumëkërkuar që dyshohet se vrau efektivin e policisë Enea Mekolli gjatë operacionit të 4 qershorit në Maliq, rezulton të ketë qenë personi kyç për lokalizimin e tij.
Sipas dëshmisë, Kola kishte bërë kallëzim në polici më 3 qershor, vetëm një ditë para operacionit, duke denoncuar konfliktin që kishte pasur me Braçellarin. Denoncimi i tij ekspozoi vendndodhjen e të shumëkërkuarit, i cili prej rreth 10 vitesh kërkohej nga Policia e Shtetit.
Aleksandër Kola, me origjinë nga Mirdita dhe banues në Durrës, kishte punuar si bari pranë familjes Braçellari kundrejt një pagese mujore prej 120 mijë lekësh. Në dëshminë e tij ai tregon se konflikti nisi pasi kërkoi dy ditë leje për të vizituar nënën e sëmurë. Kërkesën e tij, Braçellari e ka refuzuar dhe madje ka kaluar në fyerje e deri në konflikt të ashpër duke nxjerrë armën për ta qëlluar. Madje ishte dhunuar me qytën e një arme automatike.
“Unë i thashë se me duhet dy ditë lejë se kam nënën sëmurë, nuk kërkova as rrogën, or vetëm disa para për rrugën, ai më shau dhe unë e shava dhe u konfloktuam, asi nxorri armën dhe dhe më qëlloi me grushte dhe me armë. Në ato moment ka hyrë nëna e tij në mes dhe na ndau. Unë e pashë që mbante kudo armë me vetë, dhe nëna e tij më tha se ka pasur probleme me drogën. Kam marrë një taksi në telefon për të më dalë para e jam nisur në këmbë drejt Maliqit. Ai më ka ndjekur pas me makinë dhe jam futur poshtë në ure”, ka deklaruar Kola.
Ai ka rrëfyer gjithashtu se Braçellari mbante armë vazhdimisht me vete dhe se kjo e kishte shqetësuar gjatë gjithë kohës që punonte në stan. Po ashtu, ai ka treguar edhe një operacion të mëparshëm të policisë, më 27 maj, i cili dështoi pasi Braçellari u njoftua paraprakisht nga një telefonatë.
Nga dëshmia e tij mësohet se Braçellari kishte qenë emigrant në Greqi dhe kishte një kushëri që punonte në fushën e krimeve në Korçë.
“Para disa ditësh, në mos gaboj ka qenë datë 27, ai ka qenë duke punuar dhe e ka marrë dikush në telefon dhe i ka thënë se po ngjiten lart në stan disa makina me xhama të zinj dhe se në atë moment ai ka ikur me vrap dhe ka thënë se po ikte se i doli një punë dhe ka marrë kallashin, se e mban tek dera e stallës dhe ka ik me vrap ferrave nga mali”, ka rrëfyer Kola.
Dita e operacionit
Pas kallëzimit të bërë më 3 qershor, Kola u përfshi edhe në operacionin e zhvilluar mëngjesin e 4 qershorit, duke ndihmuar efektivët për të identifikuar vendndodhjen e saktë të Braçellarit.
Sipas tij, në operacion morën pjesë pesë automjete policie, ndërsa forcat mbërritën pranë stanit rreth orës 06:30–07:00. Konkretisht sipas dëshmisë së tij, ishin 5 automjete: 1 foristradë e bardhë, 1 foristradë gri, 1 fugon police, 1 Range-Rover i bardhë dhe 1 foristradë gri.
Në dëshmi, ai rrëfen momentet e para, kur automjetet e policisë kanë ndaluar në një distancë prej 100-200 metrash nga vendi ku ndodhej Violand Braçellari. Më pas të gjithë punonjësit e policisë kanë zbritur të veshur me antiplumb dhe janë armatosur me armë “automatic”, të organizuar në grupe prej 4 personash. Këta të fundit, janë rreshtuar dhe përballë tyre kanë qëndruar 4 (katër) punonjës të tjerë, të cilët mendon se ishin drejtuesit e tyre dhe kanë dhënë urdhërat se si do të zhvillohej kontrolli.
Përballë tyre, sipas dëshmisë, ka qëndruar njëri prej drejtuesve, i cili i është drejtuar punonjësve të policisë me fjalët “Asnjë fjalë” dhe ka urdhëruar shpërndarjen e tyre të organizuar. Pasi punonjësit e policisë kanë hyrë për kontroll, ka dëgjuar të shtëna armësh dhe fjalët “Dorëzo armën” dhe ka konstatuar se një punonjës ishte i dëmtuar në pjesën e nofullës.
Operacioni përfundoi tragjikisht me vrasjen e efektivit Enea Mekolli, plagosjen e kolegut të tij Edision Adri dhe plagosjen e vetë Violand Braçellarit./ZËRI