Aktualitet

Situatë kritike në Vlorë/ Novosela në alarm, rrezikohen banesat, dhjetra hektarë toke nën ujë

Rëndohet situata nga reshjet në Novoselë, rrezikohen njerëzit dhe banesat

E.K
Situatë kritike në Vlorë/ Novosela në alarm, rrezikohen
novosela

VLORË- Reshjet e shumta të shiut, që kanë rënë në 3 ditët e fundit kanë sjellë problematika të shumta, në disa zona të vendit, përfshirë Vlorën, ku rrezikohen banesat, nga fryrja e lumit Vjosa.

Në disa segmente të rrjedhës së Vjosës, prurjet kanë tejkaluar 9 metra, duke shkaktuar përmbytje të tokave dhe dëme në banesa pranë zonave të rrezikut.

Në Memaliaj, niveli i ujit ka shënuar 7.5 metra mbi nivelin e detit, një tregues i qartë i intensitetit të prurjeve. Si pasojë, është mbuluar edhe stacioni hidrometrik, ndërsa rreth 100 hektarë tokë janë nën ujë.

Situata ka ndikuar edhe në infrastrukturën kritike, pasi është raportuar prezencë uji në Stacionin e Pompimit të Kafarajt, në Njësinë Administrative Frakull, nga ku sigurohet furnizimi me ujë për qytetin e Fierit. Deri më tani, 14 banesa rezultojnë të prekura nga përmbytjet.

Bashkia Vlorë thotë se situata në njësinë administrative Novoselë po rëndohet me kalimin e orëve, si pasojë e rritjes së nivelit të ujit, duke krijuar rrezik për banorët dhe pronat e zonës.

“Bashkia e Vlorës, në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse të emergjencave civile, Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura, ka angazhuar të gjitha kapacitetet e nevojshme në terren dhe ndodhet në gatishmëri të plotë për të asistuar banorët, si në rast nevoje për evakuim, ashtu edhe për marrjen e masave të duhura për shpëtimin dhe sigurinë e bagëtive”, thuhet në njoftimin e bashkisë.

Bashkia u bën thirrje banorëve të ndjekin me përpikëri udhëzimet e strukturave në terren dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara, deri në normalizimin e situatës./ZËRI 

Poll

MOS HUMB