TIRANË- Media e huaj “River watch” është rikthyer në lumin Vjosa duke konstatuar gjetje të reja që dëmtojnë si lumin, ashtu edhe ekosistemin që jeton brenda tij. Përfaqësues të shoqërisë civile dhe aktivistë ndërkombëtarë kanë ngritur zërin ndaj ndotjes së vazhdueshme të lumit Vjosa, duke e cilësuar situatën si një krizë mjedisore që po përkeqësohet çdo ditë, por kësaj here kanë gjetur ndotje nga kompania e bitumit në Selenicë.
“Qeveria shqiptare thotë se shumë nga kërcënimet ndaj lumit Vjosa janë ‘probleme të vjetra’, por faktet janë këto: Problemet po vazhdojnë pa pasoja. Qeveria ka pasur vite për të vepruar. Ndotja po përkeqësohet. Këto nuk janë thjesht probleme – janë krime mjedisore. Ata i bëjnë thirrje qeverisë shqiptare që: Të ndalojë ndotjen; Të zbatojë mbrojtjen ligjore të parkut kombëtar; Të angazhohet publikisht për zgjidhje reale — me një afat të qartë veprimi,"- thuhet në deklaratë.
Ulrich Eichelmann, CEO i "River watch" ka shkuar në Selenicë dhe ka vënë re se një kompani aty pranë që nxirrte dhe përpunonte asfalt po gërrynte shtatin e lumit. Por kështu, po e shndërron ekosistemin origjinal të zhavorrit të bardhë duke e mbuluar me baltë. Teksa ndodh i gjithë ky proces, ndodh edhe shkatërrimi i çdo ekosistemi që jeton nën ujë. Për të mos folur më pas për plazhin që kanë humbur banorët e zonës.
"A e shihni baltën e bardhë? Ky është fundi origjinal, shtrati i lumit Vjosa. Atje ishin plazhet si 10 vjet më parë. Dhe pastaj ata e vendosën këtë shtresë sipër tij. Dhe një nga ndotësit kryesorë që përballemi edhe këtu. Është një depo për një zonë të afërt të minierave të asfaltit. Ata vendosin miliona ton këtu dhe e depozitojnë atë përgjatë brigjeve dhe në ish-fushat e përmbytjes së Vjosës, të cilat ishin plazhet e Selenicës ku njerëzit kalonin kohën duke notuar. Vjosa vjen këtu dhe kur ka përmbytje, ajo e gërryen materialin dhe e depoziton atë në shtratin e lumit. Pra, po e shndërron ekosistemin origjinal të zhavorrit të bardhë në një shtrat lumi të mbuluar me baltë. Kjo do të thotë që kjo baltë shkatërron dhe vret çdo jetë poshtë saj. Ky është një nga problemet kryesore që duhet të zgjidhet brenda menaxhimit të Parkut Kombëtar të Lumit të Egër. Dhe ne duhet të bëjmë diçka kundër kësaj."
Në qershor të këtij viti, publikoi disa pamje shokuese ku shihej uji i ndotur në Vjosë për shkak të derdhjeve nga vendburimi i naftës në Gorisht-Kocul, një zonë me aktivitet mbi 60-vjeçar në industrinë e nxjerrjes së naftës.
Gjithashtu pas reagimeve publike dhe presionit mediatik, kompania Albpetrol ka dalë me një deklaratë, duke njoftuar se ka nisur zbatimin e një plani masash për pastrimin e zonave të ndotura dhe rehabilitimin e mjedisit përreth lumit Vjosë. Sipas kompanisë, po i kushtohet rëndësi e veçantë mbrojtjes së ekosistemit dhe rivendosjes së gjendjes natyrore të zonës. Organizatat mjedisore dhe banorët vendas vijojnë të kërkojnë transparencë dhe veprime konkrete për të parandaluar ndotje të ngjashme në të ardhmen, ndërkohë që kërkohet hetim i plotë mbi shkaktarët dhe përgjegjësit e kësaj situate. Fushata ka nisur një thirrje publike për mbështetje ndërkombëtare, ndërsa aktivistët kërkojnë që qytetarët të bashkohen në presionin ndaj autoriteteve./ZËRI
