Aktualitet

Skandali i mbetjeve spitalore/ Qeveria harton rregulla të reja, kontroll më i rreptë për institucionet

Projektvendimi i ri synon të përmirësojë ndjeshëm praktikën, duke detyruar çdo institucion të ndjekë një seri hapash të detajuar, duke nisur nga momenti kur mbetja krijohet e deri në asgjësimin përfundimtar.

F.I
Skandali i mbetjeve spitalore/ Qeveria harton rregulla të reja, kontroll
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Mbetjet spitalore konsiderohen me rrezikshmëri të lartë, ndaj menaxhimi i tyre ka qenë një problematikë e theksuar. Së fundmi qeveria shqiptare është duke finalizuar një projektvendim të ri që synon të vendosë standarde më të rrepta për menaxhimin e mbetjeve spitalore në të gjithë vendin. 

Projektvendimi i ri synon të përmirësojë ndjeshëm praktikën, duke detyruar çdo institucion të ndjekë një seri hapash të detajuar, duke nisur nga momenti kur mbetja krijohet e deri në asgjësimin përfundimtar.

Vendimi i ri detyron çdo prodhues, institucion spitalor ose jo, të hartojë një plan menaxhimi të mbetjeve, i cili do të përditësohet rregullisht përmes një regjistri të posaçëm. Risi e rëndësishme është detyrimi për regjistrimin e të dhënave të kontaktit, numrave të licencave dhe lejeve për subjektet që merren me trajtimin dhe asgjësimin e mbetjeve.

Prodhuesi i mbetjeve spitalore është përgjegjës për:

a) Ndarjen në burim, grumbullimin e diferencuar dhe të kontrolluar të mbetjeve spitalore, sipas llojit dhe përbërjes;
b) ambalazhimin, etiketimin, ruajtjen e përkohshme të mbetjeve spitalore;
c) transportimin, trajtimin dhe asgjësimin në mënyrë të përshtatshme të mbetjeve spitalore;
ç) marrjen e masave të nevojshme të sigurisë për personelin e ngarkuar për menaxhimin e
mbetjeve spitalore dhe sigurimin e trajnimit të mjaftueshëm të tyre;
d) hartimin e një plani për menaxhimin e mbetjeve spitalore për zbatim nga personeli i tyre;
dh) mbajtjen e regjistrit të mbetjeve spitalore të prodhuara dhe trajtuara prej tij apo të
dorëzuara tek një subjekt i licencuar, sipas përcaktimeve të pikave 2 dhe 5 të këtij neni;
e) kostot e menaxhimit të mbetjeve spitalore të prodhura prej tyre;
ë) të gjitha dëmet e shkaktuara në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë në mjedis
dhe në shëndetin publik gjatë procesit të menaxhimit të mbetjeve spitalore;

2. Prodhuesi i mbetjeve spitalore i pajisur me lejet dhe/ose licencat përkatëse për menaxhimin e mbetjeve spitalore, i cili i trajton vetë mbetjet spitalore që prodhon, mban regjistrin e mbetjeve spitalore i cili përmban të paktën informacionet e mëposhtme:

a) Datën e krijimit të mbetjeve spitalore;
b) Sasinë e mbetjeve spitalore të prodhuara dhe të trajtuara prej tij;
c) Rrymat e mbetjeve të prodhuara prej tij sipas Shtojcës 1;
ç) Metodat e përdorura për trajtimin e mbetjeve spitalore.

Projektvendimi përmban edhe 9 pika lidhur me detyrat dhe standardet që duhen respektuar për kërkesat që duhet të përmbushin kontejnerët për transportin e mbetjeve, etiketimin e kontejnerëve, ruajtjen e përkohshme të mbetjeve, kushtet që duhet të përmbushin mjetet e transportit, metodat e trajtimit të përkohshëm apo të mbetjeve spitalore etj.

Për zbatimin e këtij akti, do të ngarkohen Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit, si dhe Ministria e Shëndetësisë. 

Ky projektvendim vjen pasi më në maj të këtij viti Prokuroria e Tiranës ka përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq 13 persona për veprën penale ‘Shpërdorim detyre’, duke lejuar shkelje në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe trajtimit të mbetjeve të rrezikshme spitalore./ZËRI

Dokumenta bashkëngjitur

Poll

MOS HUMB