TIRANË-Ish-kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici kërkon pafajësinë në Gjykatën Kushtetuese. Gjici kërkon në Kushtetuese prishje të vendimit të Apelit të Posaçëm të datës 24 qershor të vitit 2024 dhe shpalljen e tij të pafajshëm për veprën penale “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion pasiv”.
Ish-kryebashkiaku i Kukësit u dënua fillimisht me 4 vite e 6 muaj burg për një aferë seksuale që ndodhi në ambientet e Bashkisë Kukës me Alma Kaçin, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, përfitoi ulje të dënimit në 3 vite. Ndërkohë, edhe Alma Kaçi u dënua me 1 vit e 6 muaj burg për veprën penale të “korrupsionit aktiv”. Në 19 maj 2025, Safet Gjici u lirua nga qelia për shkak të problemeve shëndetësore, teksa ai po kryen dënimin e mbetur në masën “arrest në shtëpi”. Gjici qëndroi në qeli 23 muaj.
Safet Gjici u vu në pranga pas video-skandalit seksual në zyrën e tij. Gjici u vu në pranga fillimisht i akuzuar për "korrupsion pasiv", pasi dyshohet se ka favorizuar Alma Kaçin, duke i ofruar mbështetje financiare, me vendim të Këshillit Bashkiak, mbi një projekt për strehimin dhe kujdesin ndaj qenve endacakë në qytet./ZËRI