TIRANË-Durim Bami, njeriu që konsiderohet nga SPAK si “i forti” i Niklës pritet të ekstradohet sot nga Dubai. Bami u arrestua në Dubai dy vite më parë, më 12 qershor të vitit 2024, teksa ishte shpallur në kërkim me urdhër të SPAK në kuadër të operacionit Revanshi. Kjo ishte hera e dytë që Durim Bami, u arrestua nga policia e Dubait, pasi ai kishte shkelur rregullat e paraqitjes në një nga rajonet e policisë së Dubait.
Mbëritja e Durim Bamit në Tiranë, shihet si fitore në korridoret e SPAK, ku prokurorët e posaçëm kanë shpresa se Bami mund të bashkëpunojë me autoritetet e hetimit.
Aktualisht çështja penale ndaj Durim Bamit është përfunduar dhe dërguar në gjyq nga SPAK. Ndërsa akuzat zyrtare kundër tij janë të rënda si ajo e “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasjen” e ish-deputetit të PS, Arben Ndoka, “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasjen”, të Hektor alias Tori Xheçuka dhe Erigers Mihasit kryer kjo në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.
Njëherësh, Durim Bami, akuzohet nga SPAK dhe për “Kultivim të lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.
Sa atentateve u ka shpëtuar Durim Bami?
Në 2015 Bamit i kanë vendosur eksploziv në makinën e tij tip “BMW X5″ me targa AA 858 IS, por nuk pati lëndime.
Në 3 mars të 2015 ai është arrestuar nga Policia pas akuzave të Tom Doshit, se ish-kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kishte porositur një atentat për ta ekzekutuar atë përmes Durim Bamit, kundrejt pagesës 500 mijë euro. Bami u kap në tentativë për t’u larguar drejt Malit të Zi.
Më 4 korrik të 2018 ai u lirua nga Gjykata, pasi kjo e fundit e dënoi me 1 vit burg, por që dënimin ta kryente në “shërbim prove”. Po kështu i shumëkërkuari ka qenë i dyshuar në vitin 2004 për një tentativë vrasjeje.
Ai është dyshuar për vrasjen e Erzen H. dhe Hasan K. Gjithashtu Durim Bami rezulton si personi i fundit që ka takuar shtetasin Enver Stafukën. Më herët ai është dënuar me 4 vjet burg për veprën penale të pengmarrjes. Bami u ndalua edhe në shtator të 2018 nga një operacion i RENE-as në Nikël pas informacioneve se në banesat e të fortëve në këtë zonë kishte armë, drogë dhe sasi eksplozivi.
Në nëntor të vitit 2020, Bami i shpëtoi një atentati në Tapizë të Fushë-Krujës, ku drejt automjetit me të cilin po udhëtonte, u qëllua me breshëri plumbash. I plagosuri mbeti kushëriri i tij, Ervin Kodra, i cili ishte pasagjer. Në shkurt të vitit 2021, Bami bashkë me Endrit Doklen dhe Marklen Hakën planifikoi vrasjen e Tori Xhecukës dhe Erigers Mihasit, mik i Ervis Martinaj i cili u vra në Tiranë.
Emri i tij përfshihet dhe në kultivimin e lëndëve narkotike në zonën e Krujës. Sipas SPAK, Durim Bami drejtonte dhe financonte një grup që kultivonte kanabis në Nikël dhe Bubq gjatë dhjetor 2019–korrik 2020 dhe sërish në shtator 2020, duke administruar të gjithë aktivitetin. Në ndihmë i vinte ish-efektivi i RENEA-s, Altin Morina (i arrestuar) dhe persona të tjerë të paidentifikuar, që jepnin informacione të brendshme dhe shmangnin kontrollet policore.
Rivalët ishin bërë bashkë për ta eleminuar…
Nga qelia në Dubai, Durim Bami, kërkoi rrëzimin e ekstradimit në Shqipëri me pretendimin se në këtë vend i rrezikohet seriozisht jeta, pasi është përndjekur në mënyrë sistematike nga 18 persona, që ai i quan anëtarë të grupeve kriminale, të cilët duan të vrasin. Avokatët e Bamit, sipas gazetarit Elton Qyno dorëzuan dy vendime Gjykate të mara në Shqipëri ku tregohet se si 18 persona kanë kryer veprime direkte me qëllim vrasjen e tij.
Në lojë është futur dhe Behar Bajri, i cili duke shfrytëzuar njohjen me Durim Bamin, i propozon Arben Ndokës që ta thërasë për vizitë në shtëpinë e tij në Shkodër dhe më pas aty ti grijnë të gjithë. Këtë plan e mbështet dhe Arben Ndoka, por në Shkodër nuk shkon Durim Bami dhe vrasja e tij dështon sërisht.
Ndoka – Martinaj – Shullazi – Avdyli bashkë për të vrarë Durim Bamin
Nga zbërthimi i bisedave në aplikacionin SkyECC ka rezultuar se Tori Xheçuka alias Hektor Xheçuka ka pasur rolin e organizatorit dhe ekzekutorit të atentatit të dështuar ndaj Durim Bamit më 4 nëntor 2020 pranë Urës së Tapizës në Krujë Kruje. Atentati i dështuar ndaj Durim Bamit, sipas hetimeve të SPAK, u bë për llogari të bosit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj, i cili dyshohet se porositi dhe financoi vrasjen e Durim Bamit si edhe vëllait të tij, Valter Bami, por duke mos e arritur qëllimin.
Në janar të vitit 2020 zhvillohet një bisedë në SKY mes Marklen Hakës dhe Emiljano Shullazit, që edhe pse ndodhet në burg, përdor një celular, madje ka edhe SKY. Markleni e informon Emiljanon për lëvizjet e Durim Bamit me një makinë të blinduar “Range Rover”.
Bashkëpunimin kryesor për realizimin e vrasjes së Durim Bamit, Arben Ndoka e kishte me Ervis Martinajn, i cili kishte kontraktuar persona që të angazhoheshin në vrasje, si dhe siguroi automjete për vëzhgimin. Gjithashtu, Ndoka lidhi aleancë edhe me Astrit Avdylin, me qëllim vrasjen e Durim Bamit dhe marrjen peng të vëllait të tij, Valter Bami.
Lista e personave që donin vrasjen e Bamit:
1. Arben Ndoka
2. Arian Tuku
3. Behar Bajri
4. Emiljano Shullazi
5. Samuel Ndoka
6. Ervis Martinaj
7. Astrit Avdyli
8. Aldo Avdyli
9. Jozi Kraja
10. Elvis Ndreca
11. Naim Stafuka
12. Blerim Abazi
13. Gjin Ndoj
14. Marklen Haka
15. Gentian Bejtja
16. Arben Mërkuri
17. Albert Zaja
18. Florenc Këlmendi




