Aktualitet

Skema e fshehtë e Pacollit që alarmoi institucionet shqiptare! Përmes Zvicrës e Luksemburgut, si u përgatit "rrëmbimi" i 'Vlora Airport'?

Skema tregtare që përgatiste pacolli në Zvicër dhe Luksemburg u zbulua nga një analizë e inteligjencës financiaro-koorporative.

zh.ll
Skema e fshehtë e Pacollit që alarmoi institucionet shqiptare!
Behgjet Pacolli

TIRANË- Institucionet shqiptare u alarmuan dhe u vunë në lëvizje kundrejt biznesmenit Behgjet Pacollit, pasi zbërthimit të skemës së fshehtë të biznesmenit. Skema tregtare që përgatiste pacolli në Zvicër dhe Luksemburg u zbulua nga një analizë e inteligjencës financiaro-koorporative. Sipas analizës, Pacolli kishte kaluar aksionet e grabitura të aeroportit në një modul koorporativ që e neutralizon përfundimisht çdo mundësi të shtetit shqiptar për të marrë pas aksionet, nëse nuk veprohej në kohë. 

"Si pasojë, VIA SH.P.K., 2A Group SH.P.K. dhe Shteti Shqiptar humbasin automatikisht çdo të drejtë për të ushtruar kërkesë, padi, pretendim apo kompensim ndaj Delphos-it, ndaj kompartmentit apo ndaj investitorëve që kanë përfituar nga mbyllja.", theksohet në analizën e mëposhtme.

Autoritetet shqiptare janë orientuar dhe kanë marrë udhëzime nga vendet partnere, megjithëse, skema nuk është analizuar nga institucionet shqiptare të inteligjencës apo jurisprudencës tregtare. Fillimisht u raportua se Prokuroria e Tiranës ka marrë nën hetim Pacollin, ndërsa vetëm pak ditë më pas, Gjykata e Tiranës bllokoi çdo veprim të mundshëm të tij ndaj koncensionarit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Më poshtë botohet e përkthyer dhe e plotë analiza financiaro-koorporative që vuri në lëvizje autoritetet në Tiranë:

Posedimi pa kompromis i aksioneve dhe kalimi i tyre në një modul ku përfshihen kompanitë e huaja “Compartment Bernina” dhe “Delpho Securities” paraqitet alarmante.

Nëse “Compartment Bernina” nuk bllokohet përpara mbylljes, procesi i likuidimit të tij përbën fazën më të rrezikshme dhe të pakthyeshme juridikisht për të gjitha palët shqiptare të përfshira në projektin e Aeroportit të Vlorës, sepse në bazë të Ligjit të Luksemburgut të datës 22 Mars 2004 “Sur la titrisation” (Ligji për Titullizimin), veçanërisht nenet 61, 62 dhe 64, çdo “compartment” i një shoqërie titullizimi (“société de titrisation”) konsiderohet njësi ligjore e izoluar (“ring-fenced compartment”), e cila mban pasuri dhe detyrime të ndara nga pjesa tjetër e shoqërisë mëmë. Në momentin që kompartmenti shpallet i mbyllur (“liquidated”), ai zhduket ligjërisht nga regjistri tregtar i Luksemburgut dhe asnjë subjekt nuk ka më kapacitet juridik për të përfaqësuar apo për t’u paditur në emër të tij.
Sipas nenit 61 të Ligjit të Titullizimit, “Të gjitha pasuritë dhe të drejtat që i përkasin një kompartmenti i takojnë ekskluzivisht mbajtësve të titujve të atij kompartmenti dhe nuk mund të kërkohen nga ndonjë kreditor tjetër i shoqërisë.” Në përputhje me këtë nen, në momentin e mbylljes, të gjitha pengjet, të ardhurat dhe të drejtat që Delphos ka marrë përmes kësaj kontrate mbi projektin e Aeroportit të Vlorës – përfshirë kuotat, llogaritë bankare dhe të ardhurat koncesionare – kalojnë automatikisht te investitorët privatë që kanë financuar “Compartment Bernina”, të cilët bëhen përfituesit përfundimtarë të aseteve.
Ndërkohë, neni 62 i po këtij ligji përcakton se kreditorët e jashtëm nuk kanë asnjë të drejtë mbi pasuritë e kompartmentit, duke i bërë ato të paprekshme nga çdo kërkesë apo padi jashtë rrethit të investitorëve.
Në të njëjtën kohë, klauzolat kontraktore “limited recourse” dhe “no-petition”, të cilat janë pjesë integrale e marrëveshjeve të titullizimit dhe referohen në seksionet standarde të marrëveshjes “Delphos–Mabco”, i heqin palëve të tjera (përfshirë VIA-n dhe aksionarët e saj) çdo të drejtë për të kërkuar falimentim, kompensim ose ndjekje gjyqësore ndaj shoqërisë mëmë “Delphos Securities S.A.R.L.” përtej aseteve të vetë kompartmentit. Kjo do të thotë se përmes kombinimit të këtyre dispozitave, në momentin e likuidimit:
• Delphos nuk mban më asnjë përgjegjësi ligjore ose financiare për detyrimet që burojnë nga kontrata;
• “Compartment Bernina” nuk ekziston më si person juridik;
• asnjë gjykatë shqiptare nuk ka juridiksion mbi asnjë pjesë të pasurisë së sekuritizuar, sepse e drejta e zbatueshme është ligji i Luksemburgut dhe juridiksioni kompetent është ai i Luksemburgut ose i Londrës (siç përcaktohet në nenet përfundimtare të kontratës).

Si pasojë, VIA SH.P.K., 2A Group SH.P.K. dhe Shteti Shqiptar humbasin automatikisht çdo të drejtë për të ushtruar kërkesë, padi, pretendim apo kompensim ndaj Delphos-it, ndaj kompartmentit apo ndaj investitorëve që kanë përfituar nga mbyllja.
Në terma juridikë ndërkombëtarë, kjo situatë përbën shuarje “ex lege” të çdo mjeti juridik, për shkak të kombinimit të (i) mbylljes ligjore të subjektit (likuidimi), (ii) transferimit të aseteve sipas nenit 61 të Ligjit për Titullizimin, dhe (iii) heqjes dorë të paracaktuar nga çdo mjet gjyqësor nëpërmjet klauzolave “no-petition” dhe “limited recourse”.
Praktikisht, kjo do të thotë se, pas mbylljes së “Compartment Bernina”, kontrolli ekonomik mbi të ardhurat, llogaritë dhe të drejtat e Aeroportit të Vlorës kalon në mënyrë të pakthyeshme dhe të legalizuar te investitorë privatë anonimë jashtë juridiksionit shqiptar, ndërsa Shteti Shqiptar nuk ka më asnjë instrument ligjor për të kërkuar kthimin e pasurive publike që i përkisnin këtij projekti.
Ky është një precedent i rrezikshëm, sepse përmes një marrëveshjeje të tillë, humbet jo vetëm kontrolli ekonomik dhe administrativ mbi projektin, por edhe vetë sovraniteti juridik i shtetit mbi një pasuri publike strategjike, pasi kontrata dhe asetet që burojnë prej saj dalin përfundimisht jashtë juridiksionit shqiptar dhe sistemit ligjor të tij.

Poll

MOS HUMB