VAU I DEJËS- Një 56-vjeçar është arretuar në Bushat, pasi ka goditur me mjet prerës një shtetas 39-vjeç. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e një lokali, pas një konflikti për motive të dobëta. Nga hetimet paraprake rezulton se Paulin Vela ka marrë dëmtime në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit, përfshirë një frakturë në krahun e djathtë. Mjeti prerës (kosorja) u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa autori Besnik Shkambi, u arrestua në flagrancë menjëherë pas ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Vau i Dejës/ Goditi me mjet prerës, për motive të dobëta, një shtetas, arrestohet 56-vjeçari
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, ditën e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në ambientet e një lokali, në qendër të Bushatit ka pasur një konflikt për motive të dobëta, ku shtetasi B. Sh. kishte goditur me mjet prerës (kosore) një shtetas, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen e autorit, si dhe për sqarimin e rrethanave.
Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit B. Sh., 56 vjeç, banues në fshatin Mali i Jushit.
Nga veprimet hetimore, dyshohet se shtetasi P. V., 39 vjeç, është dëmtuar në kokë dhe në pjesë të ndryshme të trupit dhe ka pësuar frakturë (thyerje) në krahun e djathtë, pasi është goditur me mjet prerës (kosore) nga shtetasi B. Sh., gjatë një konflikti për motive të dobëta. Mjeti prerës (kosore) u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Shtetasi P. V. vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.