Aktualitet

“Prindërit duhet të ndihen të lehtësuar…" Familja e Martin Canit reagon ndaj Ramës: Pse nuk ka kërkuar falje për dështimet e sistemit

Familja Cani është shprehur se kryeministri Rama me këtë deklaratë ka përdorur emrin e djalit të tyre, Martin Cani, për qëllime politike dhe se shmang përgjegjësitë e institucioneve përkatëse, përsa i përket ngjarjes së tyre.

F.I
“Prindërit duhet të ndihen të lehtësuar…"
Edi Rama dhe prindërit e Martin Canit

TIRANË-Familja e të ndjerit Martin Cani ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, ku nga Qendra e Komandës dhe Kontrollit të Smart City u shpreh se instalimi i kamerave inteligjente në 20 shkollat më të frekuentuara të Tiranës është përgjigjja ndaj vrasjes tragjike të 14-vjeçarit. Një ditë më parë Rama deklaroi se me këtë projekt të ri prindërit duhet të ndihen më të lehtësuar për sigurinë e fëmijëve në shkolla.

Familja Cani është shprehur se kryeministri Rama me këtë deklaratë ka përdorur emrin e djalit të tyre, Martin Cani, për qëllime politike dhe se shmang përgjegjësitë e institucioneve përkatëse, përsa i përket ngjarjes së tyre. Sipas tyre vendosja e kamerave nuk zgjidh problemin duke argumentuar se kamerat nuk parandalojnë dhunën dhe as nuk zgjidhin mungesën e sigurisë. Në një përgjigje për kryeministrin, familja Cani shprehet se Rama nuk e ka takuar kurrë familjen Cani dhe as nuk ka kërkuar falje për dështimet e sistemit të tij.

DEKLARATA E PLOTË:

Deklaratë për shtyp
Tiranë, 17.07.2026
Familja Cani shpreh indinjatën e saj të thellë për mënyrën se si Kryeministri Rama vazhdon të përdorë emrin e djalit tonë, Martin Cani, për qëllime politike dhe propagandistike, duke shmangur përgjegjësitë reale të institucioneve që dështuan ta mbronin.
Edhe sot, në fjalimin e tij publik, Kryeministri deklaroi se: “Prindërit duhet të ndihen të lehtësuar… qeveria është ndryshe nga si përshkruhet në kanalet sociale.” Por ndërkohë, realiteti është krejt tjetër: fëmijët vazhdojnë të vriten, institucionet vazhdojnë të dështojnë dhe tragjeditë nuk po ndalen.
1. Vrasjet e miturve nuk ndaluan pas mbylljes së TikTok
Pavarësisht mbylljes së TikTok, të cilën qeveria e përdori si justifikim politik pas vrasjes së Martinit, realiteti është i qartë:
• Një i mitur u vra në Maliq.
• Një tjetër i mitur u vra në Durrës.
Këto tragjedi tregojnë se rrjetet sociale nuk janë shkaku i vrasjeve, por dështimi i sistemit arsimor, mungesa e sigurisë në shkolla dhe papërgjegjshmëria institucionale.
2. Vendosja e kamerave nuk zgjidh problemin
Kryeministri foli sot për “smart city në shkolla” dhe për vendosjen e kamerave, duke thënë se: “Algoritmi është një trup që bën atë që thotë.”
Por kamerat:
• nuk parandalojnë dhunën,
• nuk zëvendësojnë psikologët,
• nuk zgjidhin mungesën e sigurisë,
• nuk e shpëtuan Martinin, dhe nuk do të shpëtojnë fëmijë të tjerë pa masa reale.
Siguria në shkolla kërkon veprime, jo pajisje teknologjike për propagandë.
3. Kryeministri thotë se “mendon vazhdimisht për Martinin”, por nuk ka bërë asgjë për familjen tonë
Nëse Kryeministri mendon vërtet për Martinin:
• Pse nuk ka takuar asnjëherë familjen tonë?
• Pse nuk ka ofruar asnjë mbështetje institucionale?
• Pse nuk ka kërkuar falje për dështimet e sistemit që ai drejton?
Fjalët nuk mjaftojnë. Ne kemi parë vetëm heshtje, shmangie dhe përdorim politik të tragjedisë sonë.
4. Pse nuk është blerë pajisja e zemrës që do ta shpëtonte Martinin?
Martini vdiq sepse:
• Spitali i Traumës nuk kishte kardiokirurg;
• Spitali i Traumës nuk kishte pajisjen zemër-mushkëri, që riparon zemrën e të plagosurve në zemër.
Kjo pajisje kushton më pak se një makinë qeveritare, por ende nuk është blerë.
Sa fëmijë të tjerë duhet të vdesin që qeveria të kuptojë se pajisjet shpëtojnë jetë, jo kamerat?
5. Pse Kryeministri nuk kritikoi ministrat që qeshën kur u përmend Martini në Parlament?
Kur u përmend emri i Martinit në Kuvend:
• Ministrja Manastirliu qeshi;
• Ministrja Balluku qeshi.
Kryeministri nuk tha asnjë fjalë. Asnjë distancim. Asnjë ndëshkim. Asnjë ndjesë.
A është ky respekti që ai pretendon se ka për djalin tonë?
6. Policia nuk bëri detyrën – arma e krimit u gjet nga një kalimtar i rastësishëm
Nëse policia do të kishte vepruar siç duhet:
• Arma e krimit nuk do të gjendej nga një qytetar i rastësishëm;
• Provat nuk do të rrezikonin të humbnin;
• Hetimi nuk do të ishte i cunguar.
Kjo është dëshmi e qartë e dështimit të strukturave të rendit.
7. Kryeministri duhet të kërkojë mbylljen urgjente të hetimit 18-mujor për shkollën Fan Noli dhe sistemin shëndetësor
Në vend që të politizojë tragjedinë e Martinit:
• Kryeministri duhet të kërkojë mbylljen urgjente të hetimit për përgjegjësinë e shkollës Fan Noli, e cila nuk njoftoi prindërit për incidentin e të premtes;
• Duhet të kërkojë mbylljen urgjente të hetimit për dështimin spektakolar të sistemit shëndetësor, që e dërgoi Martinin në spitalin e gabuar dhe nuk kishte pajisjet për ta shpëtuar.
18 muaj hetim pa përgjigje është turp institucional.
Ne nuk do të heshtim
Martini nuk ishte slogan politik. Martini nuk ishte pretekst për censurë. Martini nuk ishte justifikim për kamera.
Martini ishte një fëmijë i mirë, një futbollist me ëndrra, një djalë që meritonte të jetonte.
Ne kërkojmë:
• Drejtësi për Martinin
• Siguri për fëmijët e Shqipërisë
• Përgjegjësi nga institucionet
• Veprime, jo fjalë
Familja Cani Tiranë, 17.07.2026

Si ndodhi krimi?

Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 nëntorit 2024 pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Sherri mes të miturve kishte nisur që të premten. Të hënën ishin riparë dhe ishin zënë gjatë orarit të pushimit të gjatë në oborrin e shkollës. Pas përfundimit të mësimit, të dy kishin mbledhur shokët për t'u përballur, por situata ka agravuar në përdorimin e thikës. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës.

Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. Ndërsa shoku i tij, Luis Meçe, mori 4 goditje me thikë, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Autori gjithashtu mbeti i plagosur në dorë, por kjo nuk e pengoi që pak çaste pas krimit të rëndë autori të pozonte për "Snapchat". Sipas Policisë, fotoja i është bërë nga një shok i papërfshirë në përplasje teksa ishin duke shkuar me taksi për në spital. Pas ngjarjes, pasi mori mjekimin në një spital privat, 14-vjeçari u shoqërua në institucionin për të miturit në Kavajë, në pritje të verdiktit për dënimin e tij./ZËRI

Poll

MOS HUMB