TIRANË-Këshilli i Mandateve pritet të mblidhet të premten e 19 dhjetorit për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme drejtuar Kuvendit. SPAK ka kërkuar nga Kuvendi heqjen e imunitetit të zv.kryeministres dhe ministres, Belinda Balluku, me qëllim arrestimin.
Kjo kërkesë i përcillet kryeparlamentarit Niko Peleshi, e më pas Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet, duke vënë në dijeni edhe deputeten, ministren e njëherësh zv.ministren, Belinda Balluku. Këshilli i cili do të shqyrtojë kërkesën e SPAK ndaj Ballukut përbëhet nga 10 anëtarë, 5 mazhoranca dhe 5 opozita. Ky Këshilli brenda 2 javësh harton raportin që u shpërndahet deputetëve, ku rekomandon miratimin ose rrëzimin e saj.
Në fund kërkesa futet si pikë e parë e rendit të ditës në seancën plenare. Kuvendi me shumicë votash voton ose jo heqjen e autorizimit.
Kërkesa e SPAK
SPAK i kërkon Kuvendit autorizim për arrestimin e Belinda Ballukut. Për të vendosur Ballukun në masë arresti me burg ose arrest shtëpie, do duhet që Kuvendi të miratojë heqjen e imunitetit të deputetit. Në kërkesën drejtuar Kuvendit, Prokuroria e Posaçme informon se Belinda Balluku po hetohet në total për 8 procedura prokurorimi. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. Ndërkohë, Balluku është vënë në hetim edhe për të 7 lotet e Unazës së Madhe, një projekt për të cilin janë prokuruar 45.9 miliardë lekë (450 milion euro)./ZËRI