
TIRANË- Avokatët e kryebashkiakut Erion Veliaj kanë kundërshtuar prokurorët e posaçëm që kanë ngritur një akuzë të re kundrejt tij për fshehje pasurie. Në një reagim zyrtar, avokatët shprehen se as Veliaj dhe as Xoxa nuk kanë lidhje me apartamentin e sekuestruar sot nga SPAK dhe se kjo pronë është në emër të subjektit tregtar "Agi Kons" shpk. Edhe për këtë kompani, avokatët shtojnë se nuk ka lidhje me çiftin Veliaj-Xoxa. Mbrojtësit e Veliajt u kërkojnë falje fqinjëve të dyshes që janë shqetësuar nga ky lajm dhe shtojnë se çdo përpjekje për të deformuar realitetin dhe për të lidhur emrin e çiftit Veliaj-Xoxa me çështje që nuk kanë asnjë bazë ligjore përbën keqinformim të opinionit publik dhe sulm ndaj figurës publike të Veliaj dhe se do të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e reputacionit dhe zbardhjen deri në fund të së vërtetës.
Sot, SPAK njoftoi se kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa do të përballen me një tjetër akuzë, atë të fshehjes së pasurisë. Në një njoftim të ri, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka bërë me dije se hetuesit kanë arritur në përfundime se ekzistojnë të dhëna konkrete që të çojnë në dyshimin për kryerjen e një tjetër vepre penale nga Erion Veliaj, pasi ka fshehur pronësinë e një apartamenti.
SPAK gjithashtu njofton se apartamenti në fjalë është sekuestruar. Bëhet fjalë për apartamentin që në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës është regjistruar në emër të subjektit tregtar “Agi Kons” shpk, në pronësi të biznesmenin Gentian Sula.
Sipas SPAK, nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se Veliaj dhe Xoxa kanë interesa pasurore faktike mbi dy pasuri (njëra prej të cilave shtesë pasurie), të cilat janë fqinje me apartamentin që ndodhet në Selitë, (rezidenca Kodra e Diellit), ku aktualisht ata jetojnë.
Reagimi i avokatëve:
Në vijim të raportimeve mediatike dhe interesit të shtuar publik lidhur me vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të procedimit penal nr. 27 të vitit 2024, sqarojmë si më poshtë:
As Erion Veliaj dhe as Znj. Ajola Xoxa nuk janë pronarë të kesaj pasurie të sekuestruar dhe nuk kanë asnjë lidhje pasurore apo ligjore me subjektin tregtar “A.K.” shpk, e as me pasurinë që është objekt i masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”. Pasuria e paluajtshme në pronësi të Z. Xoxa është apartamenti ku ata banojnë, në zonën e Selitës, krijuar para marteses dhe ky apartament nuk është dhe nuk ka qenë në asnjë moment objekt hetimi apo sekuestrimi nga ndonjë autoritet ligjzbatues.
Theksojmë se është në të drejtën ligjore të organit të akuzës të kryejë hetime, por dyshimet e ngritura duhet të bazohen në fakte konkrete dhe prova të verifikueshme, në respekt të parimit të prezumimit të pafajësisë dhe të drejtave themelore të individit.
Z.Veliaj dhe Znj.Xoxa kanë deklaruar pasuritë e tyre, si para dhe pas martesës, në përputhje me legjislacionin në fuqi, dhe kanë qenë gjithmonë bashkëpunues me institucionet përgjegjëse. Çdo përpjekje për të deformuar realitetin dhe për të lidhur emrin e tyre me çështje që nuk kanë asnjë bazë ligjore përbën keqinformim të opinionit publik dhe sulm ndaj figurës publike të Z. Veliaj, për ç'ka do të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për mbrojtjen e reputacionit dhe zbardhjen deri në fund të së vërtetës.
Ju kërkojmë ndjesë për çdo shqetësim te krijuar komshinjve te ciftit Veliaj Xoxa dhe i vetmi “faj” i tyre eshte se banojne ne te njejtin pallat me keto te fundit.