Aktualitet

Veliajt i shtohet një tjetër akuzë, SPAK: Ka fshehur pasurinë, sekuestrohet një apartament, ishte regjistruar në emër të “Agi Kons”

Sipas SPAK, nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se Veliaj dhe Xoxa kanë interesa pasurore faktike mbi dy pasuri (njëra prej të cilave shtesë pasurie), të cilat janë fqinje me apartamentin që ndodhet në Selitë, (rezidenca Kodra e Diellit), ku aktualisht ata jetojnë.

F.m
Veliajt i shtohet një tjetër akuzë, SPAK: Ka fshehur
Erion Veliaj

TIRANË- Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa do të përballen me një tjetër akuzë, atë të fshehjes së pasurisë. Në një njoftim të ri, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka bërë me dije se hetuesit kanë arritur në përfundime se ekzistojnë të dhëna konkrete që të çojnë në dyshimin për kryerjen e një tjetër vepre penale nga Erion Veliaj, pasi ka fshehur pronësinë e një apartamenti.

SPAK gjithashtu njofton se apartamenti në fjalë është sekuestruar. Bëhet fjalë për apartamentin që në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës është regjistruar në emër të subjektit tregtar “Agi Kons” shpk, në pronësi të biznesmenin Gentian Sula.

Sipas SPAK, nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se Veliaj dhe Xoxa kanë interesa pasurore faktike mbi dy pasuri (njëra prej të cilave shtesë pasurie), të cilat janë fqinje me apartamentin që ndodhet në Selitë, (rezidenca Kodra e Diellit), ku aktualisht ata jetojnë.

Njoftimi i plotë: 

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal Nr. 27 të vitit 2024, që bën fjalë për veprat penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Deklaratat e rreme  përpara oficerit të policisë gjyqësore” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”,  parashikuar nga neni 260, 245, 287/2, 257/a/2, 305/b e 301 i Kodit Penal.  

Pas kryerjes së veprimeve hetimore në kuadër të këtij procedimi penal, Prokuroria e Posaçme ka arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete që të çojnë në dyshimin e arsyeshëm se shtetasit nën hetim E. V. dhe A. X. kanë konsumuar edhe elementët e veprës penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal. Për këtë shkak, më datë 20.05.2025 emrat e këtyre shtetasve janë regjistruar në regjistrin e njoftimit të veprave penale, duke i atribuuar veprën penale cituar më lart.

Në  vijim, me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme të datës 20.05.2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 342 Akti datë 22.05.2025 ka vendosur:

1. Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, mbi pasurinë e paluajtshme:
Pasuria nr. dhe shtesë me numër pasurie, ‏regjistruar në ASHK  në emër të subjektit tregtar “A. K.” shpk;

Nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasit nën hetim E. V.  dhe A. X. kanë interesa pasurore faktike mbi dy pasuri (njëra prej të cilave shtesë pasurie), të cilat janë fqinje me apartamentin që ndodhet në Selitë, (rezidenca Kodra e Diellit), ku aktualisht këta shtetas jetojnë.

Sqarim:  Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Më 19 maj, kryebashkiaku i arrestuar i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg” në një më të butë, në "arrest shtëpie". Rekursi i Veliajt është dorëzuar nga avokatët, përmes postës.

Erion Veliaj u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash 'OJF'.

Kështu kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në 9 raste. Veliaj akuzohet se ka përfituar vila në Qerret, ndërsa Xoxa akuzohet se ka shpenzuar rreth 890 mijë euro në blerje veshjesh dhe bizhush online. Veliaj është lënë në masën "arrest me burg", ndërsa Xoxa në "detyrim paraqitje", ndërsa për 6 biznesmenë që dyshohen se kanë bashkëpunuar me Veliajn janë lënë në "arrest shtëpie" dhe "detyrim paraqitje."

Poll

MOS HUMB