Aktualitet

'Sterilizimi'/ Beqaj në gjyq jashtë kafazit të qelqtë, shtyhet seanca në GJKKO, SPAK kërkon kohë për kërkesat e mbrojtjes

Shkak për shtyrjen u bë kërkesa e përfaqësuesve të SPAK, të cilët kërkuan më shumë kohë për të shqyrtuar dhe përgatitur kundërshtimet ndaj kërkesave paraprake të paraqitura nga mbrojtja e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

zh.ll

'Sterilizimi'/ Beqaj në gjyq jashtë kafazit të

TIRANË- Seanca gjyqësore e planifikuar për të martën në Gjykatën e Posaçme për çështjen e sterilizimit është shtyrë për një datë tjetër. Në seancën e sotme, shihet edhe në pamjet e mëposhtme, Beqaj ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, jashtë kafazit të xhamit.

Shkak për shtyrjen u bë kërkesa e përfaqësuesve të SPAK, të cilët kërkuan më shumë kohë për të shqyrtuar dhe përgatitur kundërshtimet ndaj kërkesave paraprake të paraqitura nga mbrojtja e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

"Ne kemi mundur vetëm dje që të zotërojmë kopjen e materialit 93 faqe të përgatitur nga mbrojtja e Ilir Beqaj. Ka qenë e pamundur të bëjmë një lexim të këtij materiali, për këtë arsye kërkojmë kohë të mbajmë qendrim përfundimtar lidhur me kërkesat e paraqitura nga Beqaj. Kërkojmë shtyrje të seancës”, tha prokurori Edvin Kondili.

Nga ana e tij, Beqaj ka pretenduar se provat digjitale të administruara nga pajisje elektronike dhe posta elektronike janë siguruar në mënyrë të paligjshme. Ai ka argumentuar gjithashtu se akuza për vjedhje nuk përmbush parimet e ligjshmërisë, pasi nuk përcakton qartë sjelljen e ndaluar, si dhe se shumica e materialeve janë përgjigjur pas afatit 15-ditor të përcaktuar nga Kodi i Procedurës Penale.

Në seancën e radhës që do të zhvillohet në GJKKO, SPAK do të bëjë kundërshtimet mbi këto kërkesa.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i akuzuar për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, po gjykohet veçmas me procedurë të zakonshme. 

Beqaj ndodhet në burg që prej 4 korrikut të 2024 për abuzimin me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC). Por po ashtu, po hetohet edhe lidhur me dy koncensionet në Shëndetësi, Sterilizminin dhe Chech-up. Ai u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK për koncesionin 100 milionë euro të sterilizimit./ZËRI

Poll

MOS HUMB