TIRANË-Simon Zereci është emëruar drejtor i përgjithshëm i Gardës së Republikës. Pas largimit të Ermal Onuzit në qershor 2025, Zereci u komandua në krye të Gardës, më pas Sami Kuti dhe sërish Zereci. Ky i fundit prej vitit 2013 ka mbajtur funksionin e rëndësishëm të Komandantit të Njësisë Speciale në Gardën e Republikës.
"Në zbatim të nenit 17 të ligjit 33/2021 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, Z. Simon Zereci është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Gardës së Republikës dhe mban gradën Drejtues Madhor", thuhet në njoftim.
Gjatë karrierës së tij të gjatë ushtarake, është dalluar për përkushtimin dhe profesionalizmin e lartë, duke rrezikuar edhe jetën në krye të detyrës. Në shtator të vitit 1998 është plagosur gjatë shërbimit, teksa mbante funksionin e Zëvendëskomandantit të Kompanisë Operative.
Zereci ka kryer një sërë trajnimesh dhe kualifikimesh brenda dhe jashtë vendit në fushën e sigurisë, si: kurs për mbrojtjen e personaliteteve (VIP) në Egjipt; trajnim për sigurimin e personaliteteve të larta shtetërore me instruktorë amerikanë; program ndërkombëtar sigurie i zhvilluar nga specialistë të sigurisë amerikane; trajnim në teknikat e avancuara të vetëmbrojtjes “Krav Maga Maor”, e të tjerë.