Aktualitet

"Sterilizimi"/ GJKKO pranon kërkesën e Beqajt: SPAK t'i komunikojë me shkrim ish-ministrit pse e ndryshoi akuzën

Ish-ministri i Shëndetësisë u paraqit këtë të martë në seancën gjyqësore lidhur me procesin e njohur si “Sterilizimi”,  ku deklaroi se nuk i është komunikuar ende akuza e re, as me shkrim e as gojarisht. 

zh.ll
"Sterilizimi"/ GJKKO pranon kërkesën e Beqajt: SPAK t'i
Ilir Beqaj

TIRANË- Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka pranuar kërkesën e Ilir Beqajt dhe i ka kërkuar Prokurorisë së Posaçme (SPAK) që t’i vërë në dispozicion ish-ministrit të Shëndetësisë argumentin e akuzës së re 'në vjedhje duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal'. Seanca e radhës është caktuar për datën 7 prill.

Vendimi i GJKKO-së erdhi pas kërkesës së vetë Beqajt. Ish-ministri i Shëndetësisë u paraqit këtë të martë në seancën gjyqësore lidhur me procesin e njohur si “Sterilizimi”,  ku deklaroi se nuk i është komunikuar ende akuza e re, as me shkrim e as gojarisht. 

"Mua ende nuk më është komunikuar akuza e re, as me shkrim, as me gojë. Nëse doni, mund të hapim audion e seancës. Mesa duket, qëllimi i prokurorëve është të dënohet Ilir Beqaj, nuk ka rëndësi për ta cila është akuza", tha Beqaj.

Gjatë seancës, Beqaj lexoi nenet e Kushtetutës, të Konventës dhe të Kodit të Procedurës Penale, të cilat sipas tij nuk janë respektuar në procesin gjyqësor.

“Mua ma garanton Kushtetuta dhe Konventa të vihem në dijeni hollësisht për akuzën që i është ngritur. Kodi nuk e përcakton që akuza bëhet me shkrim, por nuk përcakton as që bëhet me gojë. Nëse njoftimi i akuzës bëhet me shkrim, si mund të ndryshohet me gojë”, tha Beqaj.

Në seancën paraprake, ndaj Beqajt u ndryshua akuza nga “shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim” në “shpërdorim detyre në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i akuzuar për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, po gjykohet veçmas me procedurë të zakonshme. 

Beqaj ndodhet në burg që prej 4 korrikut të 2024 për abuzimin me fondet e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC). Por po ashtu, po hetohet edhe lidhur me dy koncensionet në Shëndetësi, Sterilizminin dhe Chech-up. Ai u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK për koncesionin 100 milionë euro të sterilizimit./ZËRI

Poll

MOS HUMB