TIRANË- Gazment Buçpapaj, autori i vrasjes së Egli Pashollarit, i cili u arrestua mbrëmjen e së hënës, është marrë në pyetje nga Policia. Gjatë dëshmisë së tij, ai ka pretenduar se vrasjen e ka kryer në kushtet e vetëmbrojtjes. Ai është shprehur se pasi ka marrë gruan nga puna është nisur për në spital.
"Gjeta rrugën të bllokuar, i rashë borisë, por viktima më shau nga makina", ka thënë Buçpapaj.
Më tej ai tregon se pasi kanë ecur edhe rreth 100 metra Pashollari ka zbritur nga makina dhe e ka sharë sërish.
"Aty u zumë me grushte dhe në kushtet e vetëmbrojtjes e godita me thikë", ka rrëfyer 40-vjeçari.
Bashkëshortja e autorit, në dëshminë e saj, deklaroi se konflikti nisi prej bllokimit të rrugës me makinë, dhe i shoqi i ra borisë. Kaq mjaftoi që sipas saj, viktima t’i shante nga familja, dhe të niste sherri që përfundoi me vrasje.
“Bashkëshorti i ra borisë për t’i kërkuar të hapte, por shoferi na ofendoi me fjalë të rënda nga familja. Nuk e pashë momentin që ai e goditi personin tjetër me ndonjë send, por dyshoj se mund të ketë përdorur një thikë me palosje që e mbante në makinë”, ka thënë ajo gjatë marrjes në pyetje.
31-vjeçari Egli Pashollari, një nga njerëzit e afërt të Emiljano Shullazit, u qëllua me thikë pas shpine dhe fatkeqësisht ndërroi jetë rrugës për në spital. Pashollari u sulmua nga Gazment Buçpapaj, por njëra prej tyre rezultoi fatale. Buçpapaj ishte prezent bashkë me gruan dhe një person tjetër, kur ndodhi ngjarja. Pasi qëlluan të riun, të tre ata u larguan me makinë nga vendngjarja. Më pas për të mos rënë në prangat e policisë Buçpapaj ndërroi makinën dhe hipi në një taksi, duke u arratisur. Ndërkohë autori pas ngjarjes u arratis dhe u strehua tek disa të afërm të tij në Tropojë. Kapja e tij u bë e mundur të hënën, ku u gjet i fshehur në një banesë në Tropojë./ZËRI