
TIRANË- Shqiptarët nuk do të mund të përdorin mjetet e tyre kur të duan dhe çdo ditë të javës. Qeveria shqiptare ka hedhur për konsultim publik Planin Kombëtar që synon të afrojë vendin me politikat e Bashkimit Evropian për Energjinë dhe Klimën. Synimi kryesor i këtij plani është që të shkohet drejt përdorimit të mjeteve elektrike.
Në draftin e publikuar nga Shqiptarja.com, thuhet se “përdorimi i makinave do të bëhet në disa ditë të javës dhe sipas targës së makinës”, por nuk dihet ende se kur do të nisë zbatimi i kësaj rregulloreje, duke qenë se bëhet fjalë për një draft.
Në dokumentin me mbi 300 faqe thuhet se parashikohet gjithashtu që deri në vitin 2030, 10% e të gjithë flotës së automjeteve në vend të jetë elektrike. Për këtë arsye, qeveria ka vendosur si objektiv të planit kombëtar instalimin e stacioneve të karikimit për automjetet elektrike në pikat ekzistuese të aksesit përgjatë rrugëve kombëtare, pikave kufitare dhe zonave turistike, si dhe caktimin e detyrimeve ligjore ndaj operatorëve ekonomikë, psh. për parkimet publike ose garazhet publike për të qenë të pajisur me stacione për karikimin të automjeteve elektrike.
Një pjesë e masave që është shkruar se duhet të zbatohen:
Reduktimi i përdorimit të burimeve të energjisë nëpërmjet masave të
mëposhtme:
Funksionimi efikas
– Studimi për eliminimin e mbivendosjeve të linjave në itineraret e tyre
– Përdorimi i teknologjive të reja si “Sistemet e Transportit Inteligjent” dhe “Logjistika Inteligjente” për të ndihmuar në menaxhimin efikas të sistemeve të transportit
Promovimi dhe rritja e ndërgjegjësimit:
– Promovimi i transportit rrugor publik të udhëtarëve
– Fushatat e ndërgjegjësimit publik
Tarifa:
– Caktimi i taksave të qarkullimit dhe kufizimi i përdorimit të automjeteve (përdorimi i tyre në ditë të caktuara të javës, p.sh. sipas targës së makinës)
– Përgatitja e një plani optimal parkimi dhe caktimi i tarifave optimale të parkimit, veçanërisht në nyjat kryesore të transportit të udhëtarëve dhe të mallrave
Infrastruktura:
– Përdorimi i automjeteve me efiçencë energjie
– Përmirësimi i cilësisë së rrugëve
Planifikimi urban:
– Reduktimi i nevojave për lëvizshmërinë dhe distancave me anë të planifikimit të integruar