
TIRANË- Europol ka çmontuar sot një tjetër aplikacion të koduar të rrjeteve kriminale. Autoritetet franceze në bashkëpunim me ato holandeze “iu kanë hequr nga duart” kriminelëve aplikacionin “MATRIX”. Por, ky aplikacion u përmend për herë të parë në Prokurorinë e Posaçme në vitin 2022 nga i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani.
Gjatë dëshmisë, ai tha se përmes këtij aplikacioni, komunikonte me kriminelët e tjerë ku dhe merrte porosi për të kryer vrasje. Deri më tani, e vetmja dëshmi që është bërë publike është ajo e Nuredin Dumanit, ku vuri në dijeni SPAK se u porosit të ekzekutoj pronarin e shkollës “Wilson” në Tiranë, ndërsa nuk ka informacione nëse ka dëshmi të tjera.
“Ai më ofroi shumën prej 150.000 Euro. Këtë person nuk e kam parë asnjëherë dhe nuk e njoh dot. Në telefon regjistrova vetëm numrin e kontaktit të tij. Për këtë vrasje unë kontaktova Henrik Hoxhaj (Rikun) dhe shokun e Rikut që thirrej ‘nipçja’ dhe për të cilin kam dhënë shpjegime edhe më parë. I thashë Rikut që do t’i jepja 100.000 Euro që të kryente këtë punë. Me Rikun kontaktova në telefon me aplikacionin “Matrix””, ka thënë Dumani në dëshminë e tij.
Dëshmia e Dumanit për komunikimet e zhvilluara në rrjetin “Matrix” me Suel Çelën:
Gjatë komunikimit që kam pasur me Suel Çelën në Matrix, më dha një kontakt të një mikut të vet, që ishte i interesuar për eliminimin e pronarit të shkollës Wilson. Më dha kontaktin e këtij personi dhe me këtë person fola disa ditë dhe më kërkoi eliminimin e pronarit të shkollës Wilson për shumën 150.000 Euro. Më kishte dërguar disa foto, garazhin e banesës (i cili ishte me hyrje dhe dalje të ndryshme), në zonën e Bllokut, foton e personit që kishte shkollën, foto ku ishte së bashku me gruan dhe djalin e tij në një restorant. Unë fillimisht që të kryeja këtë punë i kërkova 200.000 Euro.
Ai më ofroi shumën prej 150.000 Euro. Këtë person nuk e kam parë asnjëherë dhe nuk e njoh dot. Në telefon regjistrova vetëm numrin e kontaktit të tij. Për këtë vrasje unë kontaktova Henrik Hoxhaj (Rikun) dhe shokun e Rikut që thirrej ‘nipçja’ dhe për të cilin kam dhënë shpjegime edhe më parë. I thashë Rikut që do t’i jepja 100.000 Euro që të kryente këtë punë. Me Rikun kontaktova në telefon me aplikacionin “Matrix”.
Rikun në Matrix e kam regjistruar ‘kusho’. Riku pranoi dhe unë i dhashë atij fotografinë e personit si dhe të ambienteve që m’i kishte dërguar i interesuari për të realizuar vrasjen. Henriku më ka treguar se pronari i shkollës Ëilson e pinte kafen zakonisht te lokali përballë garazhit...
Ditën e ngjarjes Riku komunikoi me mua në Matrix dhe me tha “kusho lëre se u fëlliqëm”. Riku më tha se i ishte bllokuar arma. Sipas Rikut në drejtim të objektivit ka qëlluar nipçja. Nuk e di se çfarë makine kanë përdorur për të vajtur apo për tu larguar nga ngjarja. Pas ngjarjes i shkrova kontaktit që më dha Suel Çela dhe i thashë me fal se dështuam. Ky personi me tha se e kishte marrë vesh dhe më tha të jenë mirë çunat. Fola dhe me Suelin për këtë por e trajtuam si me shaka, pasi ai ishte i kujdesshëm në bisedë. Për këtë porosi Henriku ka marrë 10.000 Euro kapar. Personi i cili ishte i interesuar dhe që ma kishte dhënë Sueli, më tha nxirr dikë te Tegu të marri kaparin prej 10.000 Euro. Më pas unë komunikova me Rikun të cilit i thashë të shkonte te parkingu i Tegut që të merrte 10.000 Euro. Henriku më ka thënë se ka shkuar me një makinë ML dhe kur ka qenë te parking e kam thënë të presi në makinë, më pas i ka shkuar te xhami një person që i ka dhënë porosinë prej 10.000 Euro. Edhe pse puna nuk u krye nuk e kemi kthyer shumën prej 10.000 Euro.
-
MATRIX, aplikacioni që përdoret edhe nga grupet kriminale shqiptare
3 Dhjetor, 18:30 -
-
ZËRI ka mundur që të kontaktojë me zyrën e shtypit të Europol via telefonatë, dhe ka mundur që të konfirmojë se gjuha shqiptare është një nga 33 që janë dedektuar nga autoritetet e huaja.
"Po, mund t'ua konfirmoj se gjuha shqipe është një nga më të përdorurat në rrjetin Matrix. Materialet tashmë janë në duart e autoriteteve holandeze dhe franceze. Kështu që është në dorën e tyre se çfarë do të bëjnë me materialet e mbledhura nga serveri i aplikacionit", thanë nga Europol për "ZËRI".
MATRIX, një shërbim mesazhesh i bërë nga kriminelët për kriminelët, u zbulua për herë të parë nga autoritetet holandeze në telefonin e një krimineli të dënuar për vrasjen e një gazetari holandez në vitin 2021. Kështu nisi dhe hetimi! Shumë shpejt u zbulua se infrastruktura e kësaj platforme ishte më komplekse se platformat që tashmë janë të njohura për publikun, Sky ECC dhe EncroChat. Në këtë rast, themeluesit e aplikacionit ishin të bindur se shërbimi ishte superior dhe më i sigurt për t'u përdorur nga kriminelët. /ZËRI