VLORË- Pas situatave kritike me përmbytjet në Durrës, Gjirokastër dhe Lezhë, tashmë rreziku i radhës po i kanoset Vlorës, me lumin Vjosa që ka dalë nga shtrati pranë Urës së Mifolit.
Kryetari i Njësisë Administrative Novoselë, Kanan Shakaj, ka folur për situatën e krijuar nga dalja e lumit Vjosë nga shtrati, duke konfirmuar dëme të konsiderueshme në zonë.
Sipas tij, si masë paraprake për garantimin e sigurisë së banorëve, janë evakuuar 13 banesa që janë përfshirë nga uji. Po ashtu, nga përmbytjet janë prekur rreth 40 hektarë tokë bujqësore, duke shkaktuar dëme të mëdha për fermerët e zones.
Shakaj theksoi se strukturat vendore janë në terren dhe po ndjekin situatën nga afër, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, ndërsa u bëri thirrje banorëve të tregojnë kujdes dhe të zbatojnë udhëzimet e autoriteteve deri në normalizimin e situate
Ndërkohë që dhe në lumin Shushicë prurjet kanë arritur në pikën kritike. Si pasojë e këtyre prurjeve, Shushica po merr para hektarë të tërë tokash bujqësore, pemë frutore, dhera, por edhe gurë.
Lumi Shushicë aktualisht mund të cilësohet kryesisht brenda shtratit të tij, por ka edhe shumë zona ku ka dalë jashtë shtratit, duke përmbytur toka bujqësore dhe kullota. Prurjet janë në rritje e sipër, çka rrezikon që, nëse vijojnë me të njëjtin intensitet, të ketë dalje të Shushicës nga shtrati.
Ndërkohë, vlen të theksohet se prurjet në nivele të larta në Shushicë ndikojnë edhe në lumin Vjosë, pasi Shushica derdhet në Vjosë dhe ka ndikim të drejtpërdrejtë në shtimin e sasisë së ujërave që përfundojnë në këtë lumë.
Në vijimësi, për shkak të prurjeve, rrezikohen edhe hektarë të tjerë tokash bujqësore. Rreziku për banesat mbetet ende i largët, por nuk përjashtohet mundësia e përmbytjes së tyre nëse prurjet shtohen me intensitet.
Të rrezikuara janë gjithashtu edhe disa stalla apo ambiente për bagëti, të cilat ndodhen pranë shtratit të lumit./ZËRI