TIRANË-Gjykata Kushtetuese mban sot seancën publike për shqyrtimin e kërkesës së ish-kryebashkiakut Erion Veliaj, për shkarkimin e tij, si dhe dekretin e Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve të pjesshme në kryeqytet. Ish-kryebashkiaku i Tiranës pas rret 9 muajsh në burg, gjatë ditës së sotme do të lërë për disa orë qelinë, për t’u paraqitur personalisht në Gjykatë. Seanca do të jetë publike dhe Veliaj do të dëgjohet për qëndrimin e tij në lidhje me shkarkimin nga posti.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të japë edhe zgjidhjen për zgjedhjet e Tiranës, të cilat parimisht do të mbaheshin në 9 nëntor. Por çfarë ndodhi?
Veliaj u shkarkua nga posti i kryetarit të Bashkisë së Tiranës më 25 shtator, me vendim të Këshillit të Ministrave me argumentin se nuk ishte paraqitur në detyrë për më shumë se tre muaj, që nga arrestimi më 10 shkurt. Me firmën e presidentit Bajram Begaj më 1 tetor u vendos që zgjedhjet e pjesshme vendore të mbahen më 9 nëntor. Por kryebashkiaku i shkarkuar, Erion Veliaj ankimoi në Gjykatën Kushtetutese vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij. Vetë Kushtetuta sakëson se kur vendimi për shkarkim ankimohet në Gjykatën Kushtetutese, vendimi për shkarkim pezullohet.
Rreth një javë më vonë, 'situata' u kthye përmbys me një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi drekretin e Presidentit, Bajram Begaj për zgjedhjet e 9 Nëntorit. Në arsyetimin e vendimit, Kushtetuesja shpjegoi se nëse dekreti i Begajt për mbajtjen e zgjedhjeve në Tiranë do të qëndronte në fuqi, do të sillte pasoja të pariparueshme në adresë të Erion Veliajt, teksa vendimi për shkarkimin e tij është ende në shqyrtim.
Veliaj u arrestua më 10 shkurt pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë, kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse.
Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milionë euro nga kjo skemë korruptive, para që janë përdorur kryesisht për blerje luksoze në internet nga Ajola Xoxa. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI