TIRANË- Denoncime dhe ankesa të njëpasnjëshme vijojnë të mbërrijnë ndaj kompanisë celulare One Albania.
Qindra qytetarë po përballen me rritje të çmimeve të shërbimeve celulare, pa u njoftuar më parë. Qytetarët janë të revoltuar pasi, sipas tyre, bëhet fjalë për kontrata 12 ose 24-mujore me një çmim të përcaktuar në momentin e nënshkrimit, i cili më pas ndryshohet nga kompania pa njoftim paraprak.
Sipas denoncimeve të qytetarëve për InfoNews, kompania ka ndryshuar tarifat e kontratave në mënyrë të njëpasnjëshme gjatë kohës që kontrata është ende në fuqi. Madje, ata shprehen se, në përpjekje për të marrë një sqarim nga kompania, janë informuar se e drejta për të indeksuar çmimet parashikohet në kushtet e kontratës.
Sipas qytetarëve, kjo situatë ngre pikëpyetje serioze mbi të drejtat e tyre dhe krijon një standard të dyfishtë. Ata thonë se, në momentin që kërkojnë të ndërpresin kontratën për shkak të rritjes së tarifës, përballen me penalitete për prishjen e parakohshme të marrëveshjes. Ndërkohë, shtrojnë pyetjen se si është e mundur që kompania të ketë të drejtën të ndryshojë çmimin gjatë kohës që kontrata është ende në fuqi.
Në këto kushte, qytetarët kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse për të verifikuar nëse praktika e ndjekur është në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e konsumatorit dhe me parimin e kontratave të drejta.
Kompania celulare One Albania ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes publike, e shoqëruar nga debate dhe kritika në lidhje me shërbimet dhe çështje të ndryshme të raportuara nga qytetarët. Më e fundit ishte rritja e tarifave që hyri në fuqi nga 1 maji 2026./ZËRI