TIRANË- Administrata Tatimore ka njoftuar sot sekuestrimin e 8 automjeteve luksoze të një biznesmeni në Tiranë, i cili nuk ka paguar detyrimet tatimore prej dy vitesh.
Automjetet e sekuestruara nga Drejtoria e Tatimeve përfshijnë marka si: McLaren, Mercedes-Benz dhe BMW. Vlera e detyrimeve të papaguara nga biznesmeni arrin në rreth 6.4 milionë euro, të akumuluara që nga viti 2024.
“Administrata Tatimore rikujton se masat shtrënguese do të vijojnë ndaj të gjithë tatimpaguesve që nuk përmbushin detyrimet ligjore, përfshirë subjektet e referuara në Prokurori dhe ata që krijojnë detyrime të reja tatimore pas datës 31.12.2024, të cilat nuk përfitojnë nga ligji për fshirjen dhe shuarjen e detyrimeve tatimore.
I tillë është rasti i një tatimpaguesi në Tiranë me detyrime tatimore të papaguara në vlerën 6.4 milionë euro, të cilit i janë sekuestruar 8 automjete luksoze, mes tyre McLaren, Mercedes-Benz dhe BMW.
Administrata Tatimore do të vijojë pa kompromis zbatimin e masave shtrënguese ndaj çdo subjekti që shmang përmbushjen e detyrimeve tatimore”, thuhet në njoftimin zyrtar të Administratës Tatimore.
/ZËRI