TIRANË- Ish-vartësit e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, ish-drejtuesi i KESH Erald Elezi dhe ish-kreu i ARRSH Gentian Gjyli, janë paraqitur këtë të hënë në GJKKO për seancën gjyqësore të dosjes ARRSH. Mësohet se të dy ata kanë kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë "arrest shtëpie", me argumentin se dy të pandehurve pasnesër u përfundon afati 6 mujor i hetimeve. Por, SPAK kërkoi zgjatjen e hetimeve edhe me 3 muaj të tjerë, kërkesë që u pranua nga GJKKO.
Sakaq, GJKKO ka zgjatur me tre muaj hetimet për ish-kreun e ARRSH-së Gentian Gjyli dhe ish-drejtorin e KESH Erald Elezi, duke lënë kështu në fuqi masën e sigurisë “arrest në shtëpi’.
Gjyli dhe Elezi janë marrë të pandehur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), pasi akuzohen për tenderin e tunelit të Llogarasë, çështje për të cilën u mor e pandehur edhe ish-zv.kryeministrja, Belinda Balluku.
Më 17 prill, SPAK dha pretencën për ish-drejtorët e ARRSH, Evis Berberi dhe Gentian Gjyli dhe për ish-kreun e KESH. Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin me 10 vite burg për Evis Berberin për shkelje të barazisë në tendera në 5 episode, korrupsion pasiv në 6 episode dhe pastrim parash në 1 episod.
Përveç dënimit me burg, është kërkuar edhe ndalimi për 5 vite nga ushtrimi i funksioneve publike. SPAK kërkoi edhe konfiskimin e parave të sekuestruara në banesën e Ervis Berberit.
Për Gentian Gjylin SPAK kërkon 1.6 vite burg për shkelje të barazisë në tendera në 2 episode dhe heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare. I njëjti dënim është kërkuar edhe për Erald Elezin, ish-drejtor i KESH, për shkelje të barazisë në tendera, që ulet me 1/3, si dhe heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
Provat ndaj Gjylit dhe Elezit janë siguruar nga materialet e sekuestruara në telefonin e ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, i cili gjithashtu është nën hetim për këtë dosje. SPAK mori të pandehur edhe Belinda Ballukun në 31 Tetor, për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera, në lidhje me ndërtimin e tunelit të Llogarasë./ZËRI