TIRANË- Dy të arrestuarit për vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra, Petrit Çakrri dhe Fation Bushgjokaj janë sjellë sot në paraburgimin e burgut "313" në Tiranë. Vendimi vjen pas masës së sigurisë “arrest me burg” të dhënë nga Gjykata e Dibrës, gjatë seancës së djeshme.
Transferimi drejt burgut 313 është bërë për arsye sigurie, pasi në burgun e Burrelit ku fillimisht ishte parashikuar që të dërgoheshin, aktualisht punojnë të afërm të viktimës. Kështu për të shmangur rrezikun apo përplasjet e mundshme, dy të prangosurit janë sjellë në Tiranë.
Disa ditë më parë, Policia e Dibrës zbardhi ngjarjen duke arrestuar dy persona, Fation Bushgjokën dhe Petrit Çakrrin, ndërsa shpalli në kërkim dy vëllezërit e Fationit, Kristi dhe Aleksandër Bushgjokajn. Sipas Policisë, motiv i vrasjes së 23-vjeçarit në Mat dyshohet të ketë qenë konflikti për drogën në Gjermani. Renis Dobra, 23 vjeç, u vra mbrëmjen e 8 Korrikut 2025 në fshatin Madhesh të Matit. Ai ishte mbytur me litar nga autorët dhe më pas trupi i tij ishte futur brenda makinës. Autorët tentuan ta hidhnin makinën në Liqenin e Ulzës, por trupi mbeti buzë liqenit në rrethana ende të paqarta./ZËRI