Aktualitet

"Të shfuqizohet arresti me burg"! Kushtetuesja kalon në seancë çështjen ndaj Veliajt

Në nëntor të 2025, Erion Veliaj dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e vendimit arrest me burg ndaj funksionarit publik.

F.I
"Të shfuqizohet arresti me burg"! Kushtetuesja kalon në
Erion Veliaj

TIRANË-Gjykata Kushtetuese ka vendosur që të kalojë për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh, çështjen ndaj Erion Veliajt, i cili ka kërkuar lirimin nga paraburgimi, duke shfuqizuar masën e “arrestit me burg”. Vendimi është marrë nga Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Në nëntor të 2025, Erion Veliaj dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e vendimit arrest me burg ndaj funksionarit publik. Sipas kërkesës, masa e 'arrestit me burg' është anti-Kushtetuese. Avokatët e Veliajt kërkuan shfuqizimin e vendimeve të Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion, të Apelit të Posaçëm dhe të Gjykatës së Lartë, të cilat e kanë lënë në fuqi këtë masë sigurie.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese pranoi ankimimin e Erion Veliajt për shkarkimin e tij nga post i kryebashkiakut të Tiranës. Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim.

Pritet që Gjykata Kushtetuese të vendosë nëse do të pranojë ose jo kërkesën për shfuqizimin e arrestit në burg./ZËRI

Poll

MOS HUMB